Telegrafi

Nën intonimin e himnit kombëtar shqiptar, Edit Shkreli betohet si gjyqtare në New York

Edit Shkreli, profesoresha dhe avokatja shqiptare me një karrierë të pasur në SHBA, nën intonimin e himnit kombëtar shqiptar është betuar si gjykatësja e parë shqiptare në New York.

Ajo është para shqiptare në SHBA që ka një post të tillë.

Zgjedhjet u mbajtën më 7 nëntor, dhe Edit Shkreli fitoi garën për gjykatëse në Gjykatën Civile të New York-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoninë e betimit që u mbajt në Gjykatën Civile të New York-ut, gjykatësja Shkreli betimin e bëri nën intonimin e himnit kombëtar shqiptar, kurse krahas flamurit amerikan aty ishin të vendosur edhe flamuri Shqiptar dhe ai i Kosovës.

I pranishëm në betimin e gjyqtares, ishte edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Nanao publikoi edhe disa foto krah Editës, ku shkruan se ka pranuar me kënaqësi ftesën e mikes së hershme të familjes së tij për të qenë pranë saj në ditën e betimit.

Në vitin 2011, Edit Shkreli, ka përfunduar studimet e avokaturës tek New York Law School, duke u diplomuar si “Juris Doctor, Cum Laude”. Pas pak muajsh, ajo ka kaluar për herë të një nga provimet më të vështira të licencimit, provimin e Shtetit të New York-ut (“Bar Exam”).

Lexo po ashtu Edit Shkreli - gjyqtarja e parë shqiptare në New York, në Gjykatën Civile në Bronx

Po ashtu, Edit Shkreli, ka më shumë se tetë vite që punon pranë Gjykatave të Bronx-it dhe të White Plains, kryesisht për rastet komerciale, të divorceve dhe rasteve të tjera.

Ajo zotëron njohuri të larta juridike, që së bashku me eksperiencat e saj e bëjnë atë të kualifikuar për të marrë vendime të drejta për komunitetin në tërësi.

Përpos një avokate me eksperiencë, ajo është edhe një pedagoge e përkushtuar në mësimdhënie,  profesion të cilën ajo e ushtron tek New York Law School, që në vitin 2019.

Përpos anës profesionale, Edit Shkreli, ka dhënë dhe vazhdon të jap kontributin e saj për komunitetin shqiptar, ku është anëtare pranë Bronx Community Board dhe, po ashtu është edhe anëtare e Bordit të organizatave jofitimprurëse, “Neighborhood Initiatives Development Inc” dhe “Albanian-American Educators Association”.

Për tërë këtë angazhim të saj në komunitet shqiptarë, ajo shpesh quhet edhe “Lidere e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan”.

Edi Shkreli ka lindur në Shkodër, por në Amerikë ka migruar bashkë me prindërit e saj kur ajo ishte vetëm 13 vjeç. E gjithë kjo për t’i shpëtuar trazirave të mars-it të vitit 1997 në Shqipëri.