Mbledhja e Këshillit të Ambasadorëve të Bashkimit Europian është shtyrë për të hënën. Mbledhja e sotme u mbyll pa një vendimmarrje mbi përfundimet për vendet e zgjerimit dhe për miratimin ose jo të kuadrit negociues për Shqipërinë, sipas propozimit të presidencës gjermane, ndërsa shkak për këtë kanë qenë debatet mes tyre.
Korrespondenti i Euronews Albania nga Brukseli, Ernest Bunguri, ka raportuar detaje mbi arsyet e shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Ambasadorëve mbi kuadrin negociues dhe zgjerues të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Siç e shpjeguam edhe më herët, ambasadorët sot disktutojnë për shumë tema; për përgatitjen e samitit të ardhshëm, për tema të brendshme dhe tema evropiane, por edhe tema të tjera shumë madhore, dhe ende pa ardhur tek temat e tjera për vendet e Ballkanit që ishte parashikuar rreth orës 20:00 të mbrëmjes, ajo që ndodh në Bruksel është që zakonisht delegacionet e ndryshme, përfaqësues të ambasadave shkëmbejnë me presidencën gjermane qëndrimet e tyre para se të shkohet tek këto diskutime, kur nuk ka dakordësi, apo kur konsensusi nuk është arritur më herët”, tha ai.
Gazetari Bunguri thotë se duke parë qëndrimin bllokues të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut si dhe mungesën e një konsensusi të arritur më parë për kuadrin negociues dhe zgjerues, presidenca gjermane është detyruar të kërkojë më shumë kohë.
Këto faktorë sipas tij kanë çuar në shtyrje të mbledhjes së Ambasadorëve në BE-së për ditën e hënë, edhe pse ishte parashikuar që çështjet e lartpërmendura, të diskutoheshin sot rreth orës 20:00 të mbrëmjes.
“Ajo që ka ndodhur është se Presidenca gjermane ka vendosur ta shtyjë takimin e ambasadorëve për të hënën dhe të kërkojë më shumë kohë, pasi ka vënë re që Bullgaria ,e cila bllokon RMV-në për kuadrin negociues, por e ka bllokuar gjithashtu edhe pjesën e zgjerimit. Një pjesë e vendeve janë të pakënaqura, për faktin që Shqipëria të ecë para vetëm dhe pa Maqedoninë e Veriut. Kur e ka parë që nuk ka pasur kosnesus, presidenca gjermane ka kërkuar të marrë më shumë kohë. Do të shohim se si do të shkojnë bisedimet të hënën, sepse sot është hequr nga axhenda ky diskutim, sepse ka pasur kundërshtime të mëdha”, tha gazetari Bunguri.