Telegrafi

Negociatat kanë avancuar – marrëveshja për transferimin e ri të Real Madridit mund të mbyllet këtë javë

Real Madridi ka hapur bisedimet me Lille për shërbimet e mbrojtësit Leny Yoro, i cili tash e sa kohë është bërë prioriteti i tyre kryesor i verës pas transferimit të Kylian Mbappes.

18-vjeçari besohet se ka arritur marrëveshje me Real Madridin sa i përket kushteve personale ndërsa tani mbetet vetëm gjetja e një gjuhe të përbashkët mes klubeve.

Siç është raportuar nga Matteo Moretto, palët tjera të interesuara si Paris Saint-Germain, Liverpool dhe Manchester United, të cilat ishin të gatshme të bëjnë ofertë për Yoron, janë në dijeni të faktit që Real Madridi është në bisedime me klubin francez.

Moretto shton tutje se marrëveshja mes dy klubeve mund të mbyllet jo më larg se këtë javë. Ai përmend një ofertë prej 40 milionë eurosh plus 10 milionë të tjera në formë të bonuseve.

Real Madridi nuk dëshiron ‘të thyejë bankën’ për adoleshentin kontrata e të cilit skadon verën e ardhshme, andaj raportimet kanë shtuar se Lille duhet të zbresë çmimin prej 60 milionë eurosh që po e kërkojnë.

Pas largimit të Nacho Fernandez dhe transferimit të Rafa Marin tek Napoli, Ancelotti ka në dispozicion vetëm David Alaban, Eder Militaon dhe Antonio Rudiger në qendër të mbrojtjes.

Për këtë arsye Yoro është bërë një prioritet për madrilenët këtë verë, pasi klubi dëshiron të plotësojë boshllëkun që ka lënë pas largimit ish-kapiteni i ekipit./Telegrafi/