Site icon Telegrafi

Në vrasjen e sipërmarrësit në Shëngjin u përfshinë një shqiptar dhe pesë të huaj

Policia shqiptare njoftoi të mërkurën në mbrëmje se në vrasjen e sipërmarrësit Ardian Nikulajt një javë më parë në Shëngjin, në mjediset e hotelit të tij, janë përfshirë një grup personash.

Bëhet fjalë për Edmond Haxhia, shqiptar me shtetësi edhe britanike, ndërsa të tjerët janë një portugez, Ruben Saraiva, i cili mendohet të jetë atentatori, dhe katër britanikë, Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman, me role të ndryshme në organizimin e vrasjes.

Që të gjithë rezultojnë të jenë larguar nga Shqipëria, disa në ditën e vrasjes dhe të tjerët të nesërmen. “Grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ndërkombëtare ligjore, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”, deklaroi në një konferencë të posaçme shtypi drejtori i përgjithshëm i policisë Muhamet Rrumbullaku.

Nga hetimet rezulton se vrasja ka lidhje me një hasmëri të vjetër mes familjes së Nikulajt dhe familjes Lekstakaj, me të cilën Haxhia ka lidhje gjaku shumë të afërta. Dyshohet se është pikërisht ai që ka financuar dhe vënë në jetë planin e atentatit. Këqyrja e kamerave të sigurisë, ka zbuluar se njëri prej britanikëve të dyshuar, frekuentonte prej disa ditësh hotelin duke këqyrur lëvizjet e Nikulajt, shkruan VOA.

Lexo po ashtu Policia shqiptare zbulon vrasësin e Nikulaj: Jemi 100 për qind të bindur, është një shtetas portugez

“Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje”, bëri të ditur Rrumbullaku, duke shtuar se “nga veprimet procedurale të kryera për këtë ngjarje janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Për sa i përket automjeteve të përdorura për kryerjen e krimit nga autorët e dyshuar është dokumentuar përdorimi i tyre nga personat e dyshuar për një periudhë kohore për realizimin e vrasjes”.

Pamjet e momentit të vrasjes tregonin një person me skafandër në kokë dhe me një jelek fosforeshent, i cili hyn në hollin e hotelit dhe godet pak çaste më pas me disa plumba pistolete dhe nga një distancë e afërt sipërmarrësin Nikulaj, i cili gjendej i ulur pranë një tavoline.

Ardian Nikulaj, i cili ushtronte veprimtarinë e tij në fushën e hotelerisë dhe turizmit, ishte përfshirë edhe në politikë, si pjesë e Partisë SocialDemokrate dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës.

Exit mobile version