Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e ndodhur këtë të shtunë në fshatin Suhodoll në Mitrovicën Veriore.
Sipas njoftimit, zyrtarët policorë gjatë tentimit për të ndaluar për kontroll një veturë të dyshuar, drejtuesi nuk ka ndaluar dhe me veturë ka sulmuar-goditur një zyrtar policor dhe po ashtu një veturë të policisë.
“Të ndodhur në këtë situatë kur seriozisht ishte e rrezikuar jeta e zyrtarëve policorë, zyrtarët për të mbrojtur jetën dhe vënë situatën nën kontroll, janë detyruat të përdorin armët e zjarrit”, thuhet në komunikatën për media.
Gjatë zhvillimeve në këtë situatë, një polic bëhet e ditur se është lënduar (goditur nga vetura), kurse gjatë përdorimit të armëve nuk ka të dhëna për persona të lënduar.
Tutje thuhet se drejtuesi i automjetit (i dyshuari), ka arritur që të dalë nga vetura dhe të ikë në drejtim të panjohur. Në veturë është gjetur lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë (1,5 deri në 2 kg).
“Njësitet policore, përfshirë zyrtarë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik kane dalë në vendin e ngjarjes. Policia është duke e trajtuar rastin dhe në koordinim me organet e drejtësisë do të ndermirën veprimet për të zbardhur këtë rast dhe arrestuar personin e dyshuar”, ka njoftuar policia. /Telegrafi/