Site icon Telegrafi

Në vend të KSHZ-së, ASHMAA do të monitorojë mediumet gjatë zgjedhjeve

Kuvendi i Maqedonisë sot do ta mbajë seancën e 83-të në të cilën në rend dite është propozim-ligji për ndryshimin Ligjit Zgjedhor, me procedurë të shkurtë, që është dorëzuar nga deputetët e shumicës parlamentare dhe të opozitës.

Me këtë propozim-ligj do të fshihen detyrimet për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve që të kryejë monitorim të portaleve gjatë procesit zgjedhor, duke pasur parasysh se KSHZ nuk ka kushte teknike për të realizuar këtë aktivitet, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Me ndryshimet e propozuara për monitorim do të angazhohet Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale. ASHMAA është e detyruar në afat prej 30 ditëve nga miratimi i këtij ligji të sjell metodologji për monitorimin e mediumeve gjatë procesit zgjedhor dhe të njëjtat t’i publikojë në web faqen e saj.

Në seancën e sotme pika e dytë dhe e fundit për të cilën do të debatojnë deputetët është edhe propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, me procedurë të shkurtë./Telegrafi/

Exit mobile version