Në Bruksel po mbahen takimet në nivel të kryenegociatorëve, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Delegacioni i Serbisë fillimisht u takua me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ndërsa një takim i ngjashëm do të mbahet gjatë ditës edhe me delegacionin e Kosovës.
Nga këto takime të ndara me Lajçakun varet nëse do të ketë takim mes Kosovës dhe Serbisë, në prani të përfaqësuesve të BE-së.
Delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq më 8 shtator, 2021.
BE-ja e ka cilësuar këtë si takim “në nivel negociatorësh” dhe nuk ka treguar se cilat do të jenë temat e bisedimeve, por vetëm ka thënë se do të shqyrtohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani në procesin e dialogut dhe për rrugën përpara.
Megjithatë, mësohet se në ekipet e delegacioneve ka edhe ekspertë për çështje të energjisë, për të zhdukurit në luftë dhe për doganat.
Serbia insiston se zbatimi i Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë prioritet në procesin e dialogut, ndërsa për Kosovën prioritet është çështja e të pagjeturve.
Më 15 nëntor, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se blloku pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Borrell po ashtu ka thënë se pret që para fundit të vitit të mbahet një takim i ri ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit janë takuar në muajin korrik.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. Synim i tij është normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy shteteve. /REL/