Site icon Telegrafi

Në varrezat e Pavlanit të Pejës s’ka më vende, të vdekurit varrosen në një fshat tjetër (Video)

Në varrezat e Pavlanit më nuk ka vend për asnjë të vdekur. Kryetari i këtij fshati të Pejës, Avdyl Dreshaj, ka thënë se për shkak se parcela e varrezave është stërmbushur, ditë më parë një bashkfshatare të vdekur e kanë varrosur në një fshat tjetër.

“Në Qyshk e kemi çu të vdekurin e fundit, e dy a tre i kemi varrosur varr mbi varr. I mbledhim eshtrat, i lëmë te këmbët, dhe e shtimë tjetrin”, tha Dreshaj.

Këtë shqetësim kreu i fshatit e ka paraqitur edhe në diskutimin publik të Komunës, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ndërkaq, drejtori për Çështje Pronësore në Komunën e Pejës, Edmond Shala, ka thënë se është i njoftuar me problemin e varrezave në fshatin Pavlan.

Sipas tij, janë bërë përpjekje të gjendet një parcelë në këtë fshat, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Megjithatë drejtori tha se banorëve do t’u ofrohet një zgjidhje në fshatin Vitomiricë.

“Kena vendosë që për fshatin Pavlan pasi që frekuentojnë edhe pesë fshatra, Qyshk, Pavlan, Bllagajë, Katund i Ri dhe Treboviq, kena vendos dhe e kena marrë vendim në Asamblenë Komunale prej një hektar e 30 ari për varrezat e këtij lokaliteti”, ka thënë Shala.

Shala tha se parcela e ndarë për varrezat e pesë fshatrave pritet të shfrytëzohet pasi të zgjidhet problemi me AKP-në.

Sipas tij, parcela në fjalë është e mjaftueshme për varrezat e pesë fshatrave në fjalë.

Por, përfaqësuesi i Pavlanit tha se propozimi i Komunës nuk duket zgjidhje e mirë.

Megjithatë, ai thotë se me bashkëfshatarët do ta diskutoj këtë çështje dhe do të marrin një vendim të përbashkët. /kallxo.com/

Exit mobile version