Telegrafi

Në urimin për Ditën e Çlirimit, Ademi i motivon Dardanët të fitojnë ndaj Greqisë

(Foto: Facebook/Agim Ademi)

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, shpreson në fitoren e Kosovës kundër Greqisë në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Ai ka bërë një postim në rrjetet sociale për të uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, ndërkohë që u ka kërkuar lojtarëve që të këtë ditë të shënuar të arrijnë fitore në Volos.

“Urime Dita e Çlirimit të Kosovës! Sot, Kosova feston 23-vjetorin e çlirimit nga okupatori serb. Një ditë kjo e veçantë, në të cilën nderojmë të gjithë ata që kontribuuan në forma të ndryshme për lirinë e vendit tonë”.

“Rezistenca ndaj pushtuesit dhe lufta për liri ishte e gjatë e përplot sakrifica. Liria erdhi si fryt i atdhedashurisë, motivimit, trimërisë dhe sakrificës, por edhe mbështetje së aleatëve tanë”.

Lexo po ashtu Me shumë mungesa, Kosova do të kërkojë fitoren e parë ndaj Greqisë

“Kundërshtari ynë ishte një agresor i fortë dhe lufta ishte e pabarabartë, por ne e fituam atë me vendosmëri, angazhim të gjithanshëm dhe luftë shpirtërore”.

“Sot, në këtë ditë të shënuar, Kombëtarja jonë luan ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Greqisë. Në këtë sfidë jemi të barabartë me rivalin, por për ta mposhtur duhet angazhim e përkushtim i përbashkët, disiplinë, profesionalizëm dhe luftë deri në atomin e fundit nga djemtë tanë dardanë”.

“E di që motivimi juaj djema është maksimal, prandaj sot e keni rastin dhe fatin që në këtë ditë të shënuar për kombin të arrini një tjetër fitore për krenarinë e shtetit tonë dhe të jeni heronjtë e ngritjes së Kosovës në vendin e kampionit”.

“Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë veprimtarëve të kombit! Forca Dardanë!”, shkruan në postimin e të parit të FFK-së.