“E ardhmja e BE 2025 dhe perspektivat e Maqedonisë”, ishte tema e ligjerimit të sotëm që u organizua në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), Shkup, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në këtë ligjëratë para studentëve të UEJL dhe atyre të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, profesorëve dhe mysafirëve, u tha se është e domosdoshme të vazhdohet rruga e integrimit evropian. Rektori i UEJL-së, Zamir Dika tha se ne, që ende nuk kemi arritur t’i shijojmë vlerat praktike të BE-së, mbase kemi më shumë arsye të besojmë pikërisht në ato vlera.
Por, sipas tij, efektet historike të një ngjarjeje të madhe, siç ishte edhe ajo e unifikimit të Evropës brenda një kornize të madhe administrative, ekonomike, doganore e kulturore, kanë kuptim të mësohen nga të tjerët vetëm atëherë kur ato përjetohen si motiv për ta nxënë më shpejt trenin e ndryshimeve të mëdha civilizuese.
“Ndonëse, reformat strukturore të frymëzuara nga procesi i Bolonjës paraqisnin boshtin e rregullimit dhe organizimit të institucioneve të arsimit të lartë në kuadër të një hapësire të përbashkët evropiane, e sotmja e nxjerr në pah faktin se Maqedoni pos në nivelin formal, nuk mund të thuhet se është bërë ndonjë progres i rëndësishëm në fushën e arsimit të lartë. Megjithëkëtë, fryma e Bolonjës ka vazhduar ta ushqejë, zhvillojë dhe ndërtojë UEJL-në”, nënvizoi rektori Dika.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi tha se që nga pavarësia saj Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj prioritetit strategjik për anëtarësim ne strukturat euroatlantike.
“Ne nuk konsiderojmë asnjë alternativë tjetër përveç integrimit te plote euroatlantik. Kjo është gjithashtu kërkesa e rreth 72-3 per qind e popullsisë sonë (sipas sondazheve te fundit te opinionit publik), nga te gjitha bashkësitë etnike dhe fetare…. Për fat të keq, gjatë këtyre dy viteve e gjysmë, vendi është prekur nga një krizë e thellë politike, e cila shkaktoi tensione dhe kulmoi me akte të dhunës në Parlament, më 27 prill”, tha zëvendëskryeministri Ademi.
Edhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Wuter Plomp, pasi foli për historikun dhe idenë e formimit të BE-se, u ndal në zgjedhjet në Gjermani dhe së fundi në Francë, ku, siç tha ai, edhe përkundër frikës nga dallgët populiste, Evropa doli edhe më e fuqishme dhe më e bashkuar./Telegrafi/