Në dy deri tre ditët e ardhshme ekipi i ekspertëve pas takimit të djeshëm të liderëve te presidenti Stevo Pendarovski, duhet të propozojë zgjidhje ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve të caktuara për më 12 prill.
Liderët e partive politike në takimin te Pendarovski kanë rënë dakord se për shkak të gjendjes me coronavirusin nevojitet shtyrja e zgjedhjeve të caktuara për më 12 prill.
Në takim morën pjesë liderët e LSDM-së, Zoran Zaev, ai i OBRM-PDUKM-së, Hristjan Mickoski, kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, Alternativës, Afrim Gashi dhe Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Në emër të BDI-së në takim morën pjesë Bujar Osmani dhe Izet Mexhiti, ndërsa nga PDSH-ja në takim morën pjesë Orhan Ibrahimi dhe Frymzim Dauti. Në takim morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi si dhe kryeministri Oliver Spasovski.
“Prioritet në gjendjen aktuale me coronavirusin duhet të jenë jetët dhe shëndeti i qytetarëve”, kanë konkluduar përfaqësuesit partiakë.
Ekipi i ekspertëve, megjithatë, i cili pret të propozojë zgjidhje është formuar nga profesorët Renata Deskoska, Gordana Siljanovska-Davkovska, Denis Preshova, Tatjana Karakamisheva-Jovanovska, Jeton Shasivari, Svetomir Shkariq dhe Aleksandar Spasov. Në takimet do të marrin pjesë edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryetari i Qeverisë Oliver Spasovski.
Pas takimit të tyre dje pasdite u kumtua se ekipi i ekspertëve i ka shqyrtuar aspektet juridike për shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për më 12 prill.
Në takim është diskutuar për më shumë zgjidhje të mundshme që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Konsultimet për mënyrën e anulimit të zgjedhjeve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, informojnë nga kabineti i shefit të shtetit.