Telegrafi

Në takim me senatorë amerikanë, Kurti: Kosova mbetet aleate e SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimin në Mynih të Gjermanisë, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, ka takuar disa senatorë amerikanë, me të cilët ka biseduar për sulmin terrorist serb në Banjskë.

Kurti, përmes një postimi në “X”, ka thënë se kishte kënaqësinë të takonte senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Pete Ricketts, Chris Van Hollen dhe Chris Murphy.

“Fola për nevojën e llogaridhënies nga Serbia pas sulmit terrorist në Banjskë, një shqetësim që është i përbashkët. Kosova mbetet përkrahëse e demokracisë dhe aleate e SHBA-së”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa në njoftimin nga kryeministria thuhet se gjatë takimit u fol për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri tha se për Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe partner i pazëvendësueshëm.

 Në mesin e temave që u diskutuan ishin Rregullorja e Bankës Qendrore, mungesa e llogaridhënies për sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit nga Serbia dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kryeministri Kurti theksoi se rregullorja nuk e ndalon dinarin, por parasheh valutën euro si mjetin e vetëm të pagesës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe në të njëjtën kohë rrit transparencën financiare dhe zvogëlon mundësitë e financimit të aktiviteteve kriminale.

Përveç kësaj, ai i njoftoi për periudhën tranzitore të përqendruar në informim më intensiv të publikut dhe lehtësimin e zbatimit të lehtësuar të rregullores. Ai përmendi rastin e konvertimit të targave në tabela RKS, si shembull të gatishmërisë së integrimit të serbëve të Kosovës dhe dëshmi të mirë të kapaciteteve të institucioneve tona për të mundësuar dhe lehtësuar çdo proces në shërbim të tij.

Gati pesë muaj pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit, autorët vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi. Mbi këtë fakt, kryeministri Kurti theksoi nevojën për llogaridhënie nga Serbia, shqetësim ky që u nda edhe nga senatorët në takim.

Gjatë qëndrimit në Mynih të ku po mbahet Konferenca e Sigurisë, kryeministri Kurti po zhvillon takime me udhëheqës përfaqësues dhe shtetërorë të vendeve të ndryshme, thuhet nënjoftim. /Telegrafi/