Telegrafi

Në takim me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në OSBE, Kurti: Kosova është histori e dyfishtë suksesi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot përfaqësuesit e përhershëm të shteteve të QUINT-it në OSBE dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilët bisedoi për zhvillimet aktuale.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të QUINT-it në kuadër të fushëveprimit të OSBE-së dhe se si ky bashkëpunim mund të thellohet gjatë gjysmës së dytë të mandatit qeverisës.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e OSBE-së dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë institucioneve të Republikës.

Ai i njoftoi ambasadorët me zhvillimet e fundit në vend dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Evropian.

“Kosova është histori e dyfishtë e suksesit”, nënvizoi kryeministri Kurti.

“Me trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore, Kosova po dëshmon se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë krah për krah”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, ambasadorët u njoftuan edhe për politikat sociale, si ajo e arsimit publik falas, shtesave për lehona dhe fëmijë, dhe masat e punësimit në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, për të cilin Kryeministri Kurti tha se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.

Ambasadorët vlerësuan ndryshimet pozitive në vend dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma.

Në të njëjtën kohë, konfirmuan mbështetjen e vendeve të tyre ndaj Kosovës. /Telegrafi.