Telegrafi

Në takim me kancelarin austriak, Osmani: Ekziston rreziku i destabilizimit të rajonit nga Rusia dhe Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, nga i cili mori mbështetje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.

Sipas njoftimit nga Presidenca, temë e diskutimit të presidentes Osmani me kancelarin Nehammer ishte edhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe efektet e tij në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Osmani ka potencuar rrezikun e destabilizimit të rajonit nga Rusia dhe aleati i saj Serbia, të cilin duhet ta parandalojmë në koordinim me aleatët tanë, transmeton Telegrafi.

Më tej, Presidentja ka theksuar se me agresionin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike.

Osmani ka theksuar se unifikimi i Bashkimit Evropian kundër agresionit rus ndaj Ukrainës duhet të përcillet me veprime të unifikuara të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar anëtarësimin e shteteve të rajonit në BE.

Sipas Presidentes Osmani, qëndrimi i Kosovës për Ukrainën është në përputhje të plotë me qëndrimin e BE-së, SHBA-së dhe të gjitha vendeve demokratike.

Në takim me kancelarin Nehammer, është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fusha të interesit të dyanshëm. /Telegrafi/