Telegrafi

Në takim me delegacionin e NATO-s, Osmani: Përcaktimi strategjik i Kosovës, anëtarësimi në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu dhe zv. kryeministrja Donika Gërvalla, kanë pritur sot një delegacion të përbërë nga përfaqësues të përhershëm të 26 vendeve anëtare të NATO-s dhe Suedisë, e cila ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë.

Në komunikatën nga takimi thuhet se presidentja Osmani u shprehu përfaqësuesve të shteteve anëtare të NATO-s, mirënjohjen e për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm, duke nënvizuar se uniteti transatlantik është i domosdoshëm për ta garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë kundër qëllimeve dashakeqe të Rusisë dhe satelitëve të saj.

“Përcaktimi strategjik i shtetit dhe popullit tonë është anëtarësimi në NATO, duke filluar me pjesëmarrjen në Programin e Partneritetit për Paqe”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas saj, Kosova është e gatshme ta japë kontributin e saj për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Në këtë drejtim, sipas Presidentes Osmani do të shtohet e thellohet bashkëpunimi dhe koordinimi me shtetet aleate dhe me NATO-n. /Telegrafi/