Site icon Telegrafi

Në Slloveni shënohet viktima e dytë – në Mal të Zi, 21 persona të infektuar me coronavirus

Sllovenia ka regjistruar viktimën e dytë nga nga coronavirusi.

Ministri i Shëndetësisë së Sllovenisë, Tomaz Gantar, tha sonte se një person kishte vdekur nga coronavirusi i ri, duke rritur bilancin e vdekjeve në dy.

Sipas Gantar, bëhet fjalë për një grua të moshuar nga një shtëpi pleqsh në Metlika që kishte disa sëmundje kronike, raporton agjencia sllovene e lajmeve STA, përcjell KosovaPress.

Të dy pacientët e vdekur në Slloveni janë të moshës rreth 90-vjeç, teksa gjithsej 414 raste me coronavirus janë konfirmuar, nga të cilat 55 janë në spitale.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi konfirmoi pesë raste të reja të infeksionit me coronavirus të dielën vonë, dhe aktualisht gjithsej 21 njerëz janë të infektuar me COVID-19.

“Në Mal të Zi, tani kemi gjithsej 21 të infektuar nga coronavirusi i ri. Në Mal të Zi janë 5565 persona nën mbikëqyrje shëndetësore”, tha Instituti i Shëndetit Publik.

Rasti i parë ishte të martën.

Rasti i parë i coronavirusit në Mal të Zi u regjistrua të martën. Duke iu drejtuar kombit, kryeministri malazez Dusko Markoviç tha se në pesë ditët nga shfaqja e coronavirusit, numri i të infektuarve në Mal të Zi është rritur dhjetëfish dhe se nuk do të ketë falje për mosrespektimin e rregullave, masave dhe urdhrave të lëshuara për të mbrojtur qytetarët.

“Mali i Zi nuk ka as një jetë të tepërt të njerëzve dhe as një tepricë të qytetarëve të tij. Prandaj, nga ky moment, nuk do të ketë kompromis për ata që nuk respektojnë rregullat, urdhrat, masat e izolimit dhe distancën shoqërore”, tha Markoviç. /Telegrafi/

 

Exit mobile version