Site icon Telegrafi

Në Skenderaj nisin aktivitetet për diasporën “60 ditë – 60 aktivitete”

Komuna e Skenderajt mbrëmjen e sotme ka nis aktivitetet për nder të diasporës, me moton “60 ditë – 60 aktivitete”.

Kryetari i kësaj komune Bekim Jashari me këtë rast para shumë qytetarëve nga mërgata, ka mbajtur një fjalim rasti, ku tha tha se do të krijojnë kushte sa më të mira për diasporën, ngase kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm për vendin.

“Mirë se keni ardhur në vendlindje, në shtetin për të cilin kontribuat e sakrifikuat me dekada, në kohë lufte e paqe. Sot jemi mbledhur në hapjen zyrtare të këtij projekti që ka për synim krijimin e kushteve, që të rinjtë tanë dhe diaspora jonë të argëtohet gjatë këtyre dy muajve. E dashur diasporë, ju keni dhënë dhe po jepni vazhdimisht kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ngritjen e nivelit të mirëqenies në vend. Liria dhe pavarësia e shtetit tonë nuk mund të arrihej pa përkrahjen tuaj”, tha Jashari.

Kryetari Jashari shtoi se është nder dhe krenari për sukseset e panumërta të të rinjve tanë nga diaspora, që me punë dhe talentin e tyre po arrin majat e suksesit.

“Jemi të impresionuar dhe mjaft të lumtur që keni arritur të integroheni në vendet ku jetoni dhe veproni, e për më tepër keni hapur biznese të shumta duke treguar kështu që jeni ndërmarrës dhe e duani punën. Pavarësisht sfidave që keni pasur para vetes, e krahas kësaj keni ruajtur e ruani kulturën dhe traditat tona duke i përcjellë ato gjeneratë pas gjenerate. Përderisa keni treguar suksese të jashtëzakonshme të të bërit biznes në shtetet tjera, sigurisht që në Kosovë do të arrini edhe më shumë suksese. Angazhimi im është në krijimin e kushteve për investimet tuaja, për këtë ne jemi duke finalizuar ndërtimin e parkut të biznesit në Marinë, në ë cilin park ju ftojmë që t’i jetësoni idetë e juaja inovative”, tha ai.

Jashari shtoi se nga 15 korriku deri më 15 shtator do të shënohen një varg aktivitetesh për të ruajtur zemërgjerësinë e Drenicës.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, në Sheshin “Adem Jashari” janë vendosur disa kioska nga gastronomia për shërbime të shpejta për qytetarë, raporton KosovaPress./Telegrafi/

Exit mobile version