Telegrafi

Në shtëpi me “Air Cocaine”: Putin dërgon aeroplanin që dyshohet se barti drogë për të marrë 23 spiunët e dëbuar nga Britania (Foto/Video)

Një grup prej 23 diplomatësh rusë të dyshuar për spiunazh për Vladimir Putinin në Britani të Madhe janë kthyer në Moskë me një aeroplan shumë të diskutueshëm VIP, të quajtur ‘Air Cocaine’ pas helmimit të Sergei Skripal.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, aeroplani që fluturoi në Londër për të marrë të dërguarit dhe familjet e tyre është një aeroplan i përfolur, i dyshuar për kontrabandë të drogës.

Ambasadori rus Aleksandër Jakovenko u dha lamtumirën diplomatëve të përjashtuar dhe familjeve të tyre – rreth 80 të gjithë duke përfshirë shumë fëmijë të nxjerrë nga shkollat në Londër për t’u dërguar në Rusi.

“Një aeroplan fantastik”, ka thënë ambasadori.

Aeroplani i zgjedhur për fluturimin katër orësh për në Moskë ishte një Ilyushin-96-300, pjesë e ‘Special Flight Detachment Rossiya’ i kontrolluar nga elita e Kremlinit.

Ajo i përket Drejtorisë Administrative të Presidentit Rus, e cila i përgjigjet personalisht Putinit.

Aeroplani ndonjëherë bartë zyrtarët më të lartë rusë, por në dhjetor pati pretendime se ai mbante një ngarkesë kontroverse të drogës për në Rusi, në çantat diplomatike. /Telegrafi/