Ushtari 37-vjeçar Matthew Alan Livelsberger, i cili shpërtheu automjetin e tij Tesla përpara hotelit në pronësi të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, në Las Vegas, në kryerjen e këtij veprim ka shfrytëzuar ChatGPT-në, chatboti i mbështetur nga inteligjenca artificiale e OpenAI.
Sipas mediave amerikane, Sherifi i Qarkut Clark të Las Vegas, Kevin McMahill, në konferencën për media tha se Livelsberger ka shfrytëzuar ChatGPT-në për të planifikuar sulmin, shkruan AA.
“Ne e dinim se në një moment, inteligjenca artificiale do të ndryshonte rregullat e lojës në çdo aspekt të jetës sonë. Unë besoj se ky është incidenti i parë në tokën amerikane ku ChatGPT është përdorur për të marrë informacion dhe për të ndihmuar një individ në vendosjen e një pajisjeje specifike (shpërthyese)”, tha McMahill, duke iu përgjigjur pyetjes rreth shqetësimeve të përdorimit të ChatGPT.
“Por është gjithashtu një ngjarje prej ku duhet të marrim mësim, të cilën duhet ta ndajmë me forcat ligjzbatuese dhe agjencitë e tjera në të gjithë vendin”, shtoi ai.
Zëvendës-sherifi Dori Koren tregoi se Livelsberger përdori ChatGPT për të hulumtuar sasinë e eksplozivëve të nevojitur për operacionin dhe vendet për të blerë fishekzjarrë, dhe se ai gjithashtu mësoi për potencialin shpërthyes të fishekzjarreve.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit nuk zbuluan informacionin specifik të dhënë nga ChatGPT në lidhje me eksplozivët ose armët e zjarrit.
OpenAI, zhvilluesi i ChatGPT, nuk ka bërë ende një deklaratë në lidhje me pretendimet se inteligjenca artificiale është përdorur në procesin e planifikimit të këtij sulmi.
Më 1 janar pranë hotelit Trump në Las Vegas një makinë Tesla kishte shpërthyer, ku një person brenda automjetit kishte humbur jetën kurse 7 persona përreth ishin lënduar.