Qeveria e Uellsit do të rishikojë nëse fëmijët duhet të mbajnë maska fytyre në shkolla pasi nxënësve skocezë u është thënë që të vendosnin maska nëpër korridore.
Ministri i shëndetësisë Vaughan Gething ka kërkuar nga një grup këshillimor shkencor që të marrë në konsideratë udhëzimet aktuale për shkollat në Uells, të cilat do të kthehen javën e ardhshme.
Ndërkohë, qeveria skoceze zbuloi se nxënësit e shkollave të mesme në Skoci do të duhet të veshin maska fytyre kur lëvizin nëpër korridore dhe zona të tjera komunale nga e hëna e ardhshme.
Veç kësaj, të gjithë nxënësit mbi moshën pesë vjeç gjithashtu do të duhet të veshin maska për fytyrën në autobusët e shkollës në Skoci.
Dhe këto zhvillime do të rritin presionin e mëtutjeshëm mbi kryeministrin Boris Johnson për të ndryshuar udhëzimet për mbulesat e fytyrës në shkollat angleze.
Por, siç shkruan SkyNews, përcjell Telegrafi, Margaret Harris, një zëdhënëse e OBSH-së, ka thënë se veshja e maskës për fytyrë në shkolla duhet të jetë akoma një “vendim lokal”.
“Pika me të vërtetë e rëndësishme këtu është ajo që ndodh në shkolla, vendimet në shkolla, janë diçka që duhet të merren nga autoritetet lokale në bashkëpunim me mësuesit dhe prindërit në secilën zonë”, tha ajo.
“Sepse ajo që ju duhet të jeni shumë të vetëdijshëm është, cili është statusi i transmetimit (të virusit)? Çfarë po ndodh në të vërtetë në komunitetin tuaj?”.
“Pra, gjëja e parë që ne po themi është: kuptoni vërtet transmetimin (e virusit)”.
Ajo shtoi se fëmijët e moshës mbi 12 vjeç, për sa i përket transmetimit të COVID-19, kanë “llojet e njëjta të rreziqeve si të rriturit”.
Andaj, vlerëson ajo, “nëse ka ambiente të mbyllura me të vërtetë, nëse me të vërtetë nuk mund të siguroni ventilim të mirë, [dhe] nuk mund të bëni të mundur që ata të distancohen fizikisht më shumë se një metër larg, atëherë veshja e maskave mund të jetë diçka që i shtoni luftës kundër coronavirusit”, ka thënë zëdhënësja e OBSH-së. /Telegrafi/