Site icon Telegrafi

Në seancën e parë të Këshillit Ekonomik-Social do të diskutohet për pagën minimale 450 euro

Ministri i ri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka bërë të ditur se kërkesa e sindikalistëve që paga minimale të jetë 450 euro do të shqyrtohet në seancën e parë të Këshillit Ekonomik Social.

Ministri Durmishi nuk tha se kur është planifikuar të mbahet seanca e parë, por siguroi se në rend dite do të jenë të gjitha çështjet e hapura si nga sindikatat ashtu edhe nga punëdhënësit.

“Në kuadër të Këshillit ekonomiko-social, i cili tani do të drejtohet nga unë si ministër i Ekonomisë dhe Punës, që është organi më i lartë i përbërë nga përfaqësues nga sindikatat, nga punëdhënësit dhe nga qeveria, do të fillojmë një dialog për të gjitha çështjet e hapura edhe nga sindikatat edhe nga punëdhënësit. Me riorganizimin që po bëhet tani me Qeverinë e re, do të formohen anëtarë të rinj dhe kjo çështje do të vihet në tryezë për diskutim në mbledhjen e parë. Si qeveri, për ne është e një rëndësie të veçantë dialogu social, përkatësisht përfshirja e të gjithë aktorëve në krijimin e masës së re për këtë çështje. Duhet të kemi parasysh interesat e punëtorëve, por edhe interesat e sektorëve të biznesit”, tha ministri Durmishi.

Ai raportoi se ndërkohë vazhdon procesi i përgatitjes së ligjit të ri për marrëdhëniet e punës dhe ligjit për sigurinë në punë.

Durmishi njoftoi se nga sot e tutje do të përkushtohet përmes krijimit të masave për të nisur një cikël të ri për ringjalljen ekonomike të shtetit dhe përmirësimin e të drejtave të punës.

Exit mobile version