Site icon Telegrafi

Në Samitin e Berlinit të bëhet e qartë se territori i Kosovës nuk negociohet, thonë analistët

Takimi mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili është organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emanuel Macron, po cilësohet si një moment shumë i rëndësishëm.

Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, vlerëson se Samiti i Berlinit ka mjaft rëndësi, dhe se nga takimi pret që udhëheqësit e Kosovës t’ua bëjnë të qartë të gjitha shteteve që territori i Kosovës është i panegociueshem.

“Pres që në kuadër të takimit që po organizohet nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, të jetë një moment i ri i parimeve të reja negociuese ndaj Kosovës dhe Serbisë. Dhe, kjo nënkupton që në parimet e reja negociuese, Kosova t’ia qartësojë edhe një herë pozicionin jo vetëm shteteve të Bashkimit Evropian, por të gjithave që territori i Kosovës nuk negociohet”, theksoi Kryeziu për Telegrafin.

Kryeziu, ndër të tjera tha se Gjermania gjithmonë ka qenë kundër idesë së korrigjimit të kufijve, dhe që edhe gjuha e palës kosovare duhet të jetë e tillë.

“Është shumë e rëndësishme që ky takim po mbahet në Gjermani. Dhe Gjermania gjithmonë ka qenë kundër që të preket territori i Kosovës. Dhe territori të jetë pjesë e negociatave. Edhe gjuha e palës kosovare duhet të jetë e tillë”.

Taulant Kryeziu, Instituti EPIK

Më tej, ai thotë se udhëheqësit kosovarë duhet të bëjnë një kërkesë karshi Bashkimit Evropian, që Serbia rrugën në BE ta ketë të hapur vetëm kur ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Duhet të bëjnë kërkesë karshi BE-së, që Serbia rrugën për në Bashkimin Evropian ta ketë të hapur vetëm pasi ta njohë Kosovën e pavarur dhe asnjë centimetër tokë të mos jetë pjesë e bisedimeve dhe marrëveshja finale të mos e prek territorin”, tha ai.

Si përfundim, Kryeziu deklaroi se Kosova duhet ta sheh si fuqi kryesore Gjermaninë së bashku me SHBA-në, dhe që ajo  është përcaktuese për të gjitha në BE.

Kurse, njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, për Telegrafin potencoi se Samiti i Berlinit është moment i rëndësishëm sepse po ndodhë në një kohë kur Kosova e Serbia nuk kanë qenë kurrë më larg njëra-tjetrës.

“Samiti i Berlinit është një moment shumë i rëndësishëm sepse po ndodhë një një kohë në të cilën të dy vendet kurrë nuk kanë qenë më larg njëra-tjetrës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Njohës i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani

Ujkani tha që, Samiti i Berlinit do të ju shërbejë Gjermanisë dhe Francës që në një mënyrë të shpejtojnë procesin e dialogut,  i cili sipas tij, BE-së i ka ikur nga dora.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE, jo që nuk ka arritur të konkludojë më marrëveshje përfundimtare por as edhe t’i relaksojë  raportet mes dy vendeve. Rrjedhimisht takimi i Berlinit do të provohet të ju shërbejë Gjermanisë dhe Francës që në njëfarë mënyrë ata do ta shpëtojnë procesin i cili BE-së vetëm se i ka ikur nga dora”, ka thënë në fund të deklaratës Emrush Ujkani.

Samiti i Berlinit do të mbahet me 29 prill. Pjesëmarrjen në këtë Samit e kanë konfirmuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version