Site icon Telegrafi

Në rrugën Zhur-Dragash “masakrohet” asfalti – rrezikohen vozitësit (Video)

Në rrugën Zhur-Dragash, përkatësisht tek pjesa ku janë të theksuara kthesat janë bërë punime në rrugë.
Bëhet fjalë për punime të bëra nga Posta e Kosovës, përkatësisht prerja e asfaltit dhe futja e kabllove në të.

Kanali rreth 5 kilometrash është i prerë rreth 20 centimetër i gjerë dhe ende është i pambuluar.

Dhe për këtë, banorët e fshatrave të komunës së Dragashit thonë se është diçka e pakuptueshme.

Sipas tyre, të bëhen punime në mes të një rruge, një nyje shumë e rëndësishme e lidhjes së kësaj pjese me pjesën tjetër të Kosovës, dhe mos sanimi i menjëhershëm i tyre, është i pa kuptueshëm.

Aq më pak, sipas banorëve lokalë, këto punime nuk do të duhej të kryheshin pikërisht në këtë sezon, ku pritet që në këtë pjesë të ketë reshje bore – të cilat do të pamundësonin sanimin e tyre, si pasojë edhe vështirësimin e qarkullimit të automjeteve.

Demir Reshiti, i cili punon në Prishtinë dhe të cilit i duhet që çdo javë të ecë këtë rrugë me makinën e tij, ka shprehur habinë, sidomos me ata që kanë dhënë leje për hapjen e këtij kanali.

“Nuk ma merr mendja që bëjnë diçka të tillë as në vendet më të prapambetura afrikane. S’di kush e ka dhënë lejen që të prehet asfalti në atë formë ose ka qenë ndonjë nga ata “të fortët” e pushtetit që Kosovën e llogarisin pronë të tyre dhe nuk kërkojnë fare leje për ta masakruar kështu asfaltin!”, ka thënë Reshiti.

Lidhur me këtë, zyrtarë të Komunës së Dragashit kanë thënë se kjo rrugë është nën menaxhim të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Sipas informacioneve që kemi, leje është marrë nga Ministria e Infrastrukturës, e cila është edhe përgjegjëse për mbikëqyrjen e këtyre rrugëve”, ka thënë për Telegrafin, nënkryetari i Komunës së Dragashit, Selami Saiti.

E sipas Telekomit të Kosovës, në rrugën në fjalë, Telekomi i Kosovës Sh.A. është duke implementuar projektin e shtrirjes së rrjetit optik në këto anë, respektivisht ndërlidhjes në komunës/bizneseve/konsumatorëve në Dragash dhe rrethin përmes fibër optik me Prizreni dhe tutje.

“Projekti në fjalë është investim nga Telekomi i Kosovës, ka leje përkatëse nga komunat respektive dhe nga Ministria e Infrastrukturës për segmentin e rrugës regjionale. Punët janë në përfundim e sipër, ka edhe disa aktivitete që duhet të përfundohen. Lejet përkatëse janë dhënë me kushte që infrastruktura rrugore dhe ajo përreth rrugës të kthehet në gjendjen e mëparshme”, thuhet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës.

Sa i përket mos përfundimit të punimeve në këtë segment rrugor, Telekomi, duke mos treguar për një datë të saktë ka bërë të ditur se “kjo do të ndodhë se shpejti pasi që edhe punët rreth implementimit të këtij projekti janë në fazën e përfundimit”.

Përderisa zyrtarë të Komunës së Dragashit dhe të Telekomit kanë dhënë sqarimet e tyre rreth hapjes së këtij kanali, zyrtarët e Ministrisë së Transportit nuk kanë treguar nëse kanë qenë ata ose jo që kanë dhënë një leje të tillë, përkatësisht arsyetimin rreth kësaj leje.

Ndonëse nga Telegrafi atyre pyetjet u janë dërguar që të hënën, (deri më sot, e mërkurë) ata ende nuk janë përgjigjur. /Telegrafi/

https://video.xx.fbcdn.net/hvideo-xap1/v/t43.1792-2/12303589_931887446860713_994383818_n.mp4?efg=eyJybHIiOjI0NjMsInJsYSI6MTI5NywidmVuY29kZV90YWciOiJzdmVfaGQifQ%3D%3D&rl=2463&vabr=1642&oh=f909de85447d37be459d71a17ddd299e&oe=569FA8F4

Exit mobile version