Ansu Fati ka qenë zbulim i sezonit te Barcelona, pasi ka bërë debutimin këtë edicion me vetëm 16 vite.
Sulmuesi i talentuar spanjoll ka shkëlqyer duke zhvilluar 32 ndeshje në të gjitha garat e duke shënuar tetë gola.
Falë shkëlqimit të tij, Barcelona i rinovoi kontratën deri në vitin 2022 me një klauzolë largimi prej 170 milionë euro.
Por katalunasit nuk ndihen të qetë dhe duke parë interesimin e skuadrave të mëdha për lojtarin, atëherë kanë filluar bisedimet për një tjetër kontratë.
“Fatin duam ta blindojmë për gjithë jetën”, ishin fjalët e presidentit të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu.
“Ka pasur interesime nga klube të ndryshme, por përgjigja e jonë gjithmonë ka qenë ‘jo’, pasi nuk duam ta largojmë atë”, ka thënë numri një i Barcelonës.
Mundo Deportivo ka raportuar se drejtuesit e klubit tanimë kanë pasur takime me agjentin e lojtarit për një kontratë të re.
Katalunasit duan t’i vazhdojnë kontratën lojtarit deri në verën e vitit 2025 me rritje të ndjeshme page.
Gjithashtu me kontratën e re, Fati do ta ketë edhe një klauzolë të frikshme largimi.
Në rast se nënshkruan kontratën e re talenti spanjoll, skuadrat që e duan atë do të detyrohen të paguajnë 400 milionë euro për klauzolën e tij. /Telegrafi/