Telegrafi

Në rrethana normale Sunny Hill do të fillonte sot – festivali shuan mallin e fansave me fotografi nga edicionet e kaluara

Festivali “Sunny Hill” njoftoi muaj më parë anulimin e tij për sivjet.

Pandemia globale COVID-19 ka ndikuar që të anulohen shfaqjet më të mëdha dhe festivalet në mbarë botën, e rrjedhimisht nga një vendim i tillë do të prekej edhe Kosova.

Festivali i cili për herë të parë u mbajt në vitin 2018 dhe më pas vazhdoi traditën edhe vitin pasues, nuk pati mundësinë që të mbahet edhe në verën e vitit 2020.

Dua Lipa gjatë interpretimit në festivalin “Sunny Hill 2018” (Foto: Dua Lipa/Instagram)

Në kushte normale, ai ishte paraparë që të fillonte sot (e premte), mirëpo pandemia bëri që një gjë e tillë të mos ndodhë.

Faqja zyrtare e festivalit në rrjetet sociale ua ka shuar nostalgjinë fansave përmes disa fotografive nga edicioni i vitit të kaluar.

Ata kanë publikuar fotografi të interpretimit të Dua Lipës në vitin 2019, kur u ngjit në skenë natën kur performoi Calvin Harris, për të interpretuar këngën e tyre të përbashkët “One Kiss”.

“Në rrethana normale, Sunny Hill Festival 2020 do të fillonte sot. Jemi të trishtuar që na është dashur të shtyjmë, megjithëse mbetemi të ngazëllyer për vitet në vazhdim. Po i ndajmë këto memoria nga viti i kaluar”, shkruhet ndër të tjerash në njoftimin e festivalit.

Disa nga emra më me nam që ky festival ka sjell në Kosovë përgjatë dy viteve të kaluar përfshijnë yjet si: Martin Garrix, Dua Lipa, Miley Cyrus, Calvin Harris etj. /Telegrafi/