Telegrafi

Në Roterdam, sekuestrohet sasia më e madhe e drogës deri tani

Doganierët në Roterdam sekuestruan tetë tonelata kokainë me vlerë rreth 600 milionë euro, më e madhja deri tani në atë port holandez, njoftuan prokurorët.

Droga ishte fshehur në kontejnerë me banane nga Ekuadori. Më shumë se 8 mijë pako, secila me një kilogram kokainë, u zbuluan në korrik, por për shkak të hetimeve, lajmi u bë i ditur vetëm sot, transmeton Telegrafi.

Më e madhja deri tani ishte sekuestrimi i 4.5 tonelata kokainë. Roterdami është një nga portet kryesore për kontrabandën e drogës në Evropë.

Vitin e kaluar, rreth 47 tonelata drogë u zbuluan në portin më të madh të Evropës, por hetuesit thonë se ata arrijnë të zbulojnë vetëm 50 deri në 60 për qind të drogës që kontrabandohet përmes Roterdamit. /Telegrafi/