Site icon Telegrafi

Në qytetin fantazmë të Ukrainës – një dyqan lulesh qëndron hapur për të ‘rritur disponimin te njerëzit”

Shumica e pronarëve të bizneseve kanë mbyllur dyqanet dhe kanë ikur nga Mikolaiv i Ukrainës, por luleshitësja Angela Kalisnik vazhdon të shesë tulipanë dhe trëndafila vetëm pak larg nga vija e frontit.

“Ne nuk e dinim se lufta po vinte”, thotë 25-vjeçarja.

“Lulet vazhdojnë të çelin në rajonin tonë dhe ne nuk duam t’i hedhim ato”.

Bora bie në rrugët e gjera të qytetit të shkretë dhe vetëm pak njerëz kanë dalë në të ftohtin e ashpër.

Ndërkohë, jashtë qytetit, ushtarët po luftojnë kundër forcave pushtuese ruse.

Por brenda dyqanit të 25-vjeçares, buqeta shumë ngjyrëshe janë renditur mureve.

Dhe ndonëse nuk do të mund të pritej, ajo ka pasur klientë në dyqanin e saj.

Kalisnik thotë se ajo e mbylli dyqanin një javë pasi Rusia pushtoi vendin e saj, por ajo vendosi ta rihapë atë.

“Lufta është luftë, por njerëzit vazhdojnë të jetojnë, të festojnë ditëlindjet”, thotë ajo.

“Ne duhet të rrisim disponimin e njerëzve dhe ta mbajmë ekonominë”.

Për disa ditë, rusët kanë bombarduar Mykolaiv, që shtrihet në rrugën për në qytetin port strategjik të Odessa-s, rreth 130 kilometra (80 milje) poshtë vijës bregdetare të Detit të Zi.

Por ukrainasit kanë arritur të zmbrapsin rusët në portat e tyre, thotë guvernatori i rajonit Vitaly Kim, dhe “beteja po fitohet”.

Në një konferencë shtypi, politikani i ri siguron të pranishmit se rusët janë shtyrë prapa në 15-20 kilometra (9-12 milje) jashtë qytetit.

“Ata menduan se do t’i mirëpresim me lule, nuk e prisnin një rezistencë të tillë”, thotë Kim.

Mijëra civilë janë larguar nga Mikolaiv ditët e fundit, duke u nisur drejt Odesës, e cila deri më tani ka qenë e kursyer nga bombardimet.

Eksodi masiv e ka lënë qytetin pothuajse bosh.

Shumica e dyqaneve janë të mbyllura dhe super-marketet ende të hapura kanë filluar të kenë pak makarona, oriz dhe ushqime të konservuara. /Telegrafi/

Exit mobile version