Site icon Telegrafi

Në protestën e Veteranëve në Prishtinë u lënduan dy policë – njëri u godit në kokë me një mjet të fortë

Gjatë protestës të së hënës para Kuvendit të Kosovës, dy zyrtarë policor kanë marrë lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor ku njëri prej tyre është goditur në kokë me një mjet të fortë.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se protesta zgjati rreth tri orë, nga 10:00-13:20.

Tutje në raport thuhet se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, ndërkaq rasti vazhdon të hetohet.

“Gjatë një proteste të organizuar, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor ku njëri prej tyre është goditur në kokë me një mjet të fortë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.

Lexo po ashtu Gjithçka që ndodhi në protestën e veteranëve dhe reagimet pozitë-opozitë

Ndryshe, të hënën qindra veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) protestuan para ndërtesës së Kuvendit, për shkak të mos përfshirjes së kësaj kategorie në Projektligjin për pagën minimale.

Protesta nisi në orën 10:00 në mënyrë të qetë, por eskaloi shpejt.

Protestuesit hynë me forcë në oborrin e Kuvendit, pavarësisht që aty ishin vendosur pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët tentonin të mbanin rend.

Pas hyrjes së protestuesve në oborr të parlamentit, u hodh gaz lotsjellës, por nuk dihet nga kush.

Lexo po ashtu Policia deklarohet për protestën e veteranëve: Ne nuk përdorëm gaz lotsjellës – janë lënduar dy policë dhe një qytetar

Fillimisht u raportua në media se gazin lotsjellës mbi protestuesit e hodhi Policia, por kjo e fundit përmes një komunikate për media e mohoi një gjë të tillë.

Policia njoftoi se “si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy prej tyre kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor”. /Telegrafi/ 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version