Site icon Telegrafi

Në pritje të zyrtarizimit të Panuccit te Shqipëria – pagesa, kohëzgjatja e kontratës dhe karriera e tij (Foto)

Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare pritet që të përfitojë një pagë thuajse të njëjtë me atë të Gianni De Biasit në sezonin e parë në krye të Shqipërisë.

Burime nga FSHF kanë bërë të ditur për Panorama Sport se Christian Panucci do të përfitojë një pagë mujore prej 20 mijë eurosh. Kërkesat e ulëta ekonomike kanë ndikuar jo pak në përzgjedhjen e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për teknikun që do të pasojë De Biasin në krye të Kombëtares.

Me Milanin dhe Real Madridin e ka fituar Ligën e Kampionëve

Kandidatët për postin e teknikut të përfaqësueses shqiptare kanë qenë në garë qe disa javë për ta bindur Dukën për të marrë drejtimin e skuadrës shqiptare të futbollit.

Lexo po ashtu Panucci drejt Shqipërisë, por Duka nuk konfirmon asgjë (Video)

Njëherësh bëhet e ditur se ish-mbrojtësi i Milanit, Real Madridit dhe Romës do të nënshkruajë kontratë prej dy vite e katër muaj.

Ai do ta nisë aventurën e tij me Shqipërinë pas disa ditësh deri në fund të këtyre kualifikueseve dhe më pas do të jetë në krye të Kombëtares për edicionin e ardhshëm kualifikues për ‘Euro 2020’.

Panucci ka luajtur për disa prej klubeve kryesore evropiane

Panucci është një mbrojtës i njohur në Serie A italiane. Ai e ka nisur karrierën te Genoa në vitin 1990, ndërkohë që pas tre vitesh u transferua te Milani, ku fitoi edhe Ligën e Kampionëve në sezonin (1993/1994). Në vitin 1996 ndoqi Fabio Capellon në Spanjë duke u bërë pjesë e Real Madridit, ku e fitoi dhe La Ligan në vitin 1997 dhe Ligën e Kampionëve një vit më vonë.

U rikthye në Seria A në vitin 1999 te Interi dhe në sezonin pasardhës u huazua në Londër te skuadra e Chelseat e më pas kaloi te Monaco. Në vitin 2001 rikthehet sërish në Itali te Roma, sërish nën drejtimin e Capellos, ku qëndroi për tetë vite.

Panucci ka qenë një ndër mbrojtësit më të mirë në Itali, teksa i dha fund karrierës në vitin 2010 te Parma. Me kombëtaren italiane ka zhvilluar 58 ndeshje, duke shënuar katër gola.

Pasi u pensionua, Panucci nis karrierën si komentator sportiv në Sky Italia në vitin 2011, ndërkohë që më vonë u bë dhe pjesë e spektaklit “Dancing With the Stars”.

Në vitin 2012 u zyrtarizua te Palermo për t’u bërë menaxher dhe zbulues talentesh, ku qëndroi vetëm disa muaj. Po në këtë sezon nis karriera e tij si trajner.

Panucci si asistent i Capellos

Ai u bë ndihmës i Fabio Capellos te Rusia, por u largua nga detyra pas dy vitesh pas përplasjeve që pati me të. Në vitin 2015 mori drejtimin e Livornos në Serie B, teksa e drejtoi këtë skuadër në 36 ndeshje, ndërkohë që në gushtin e vitit të kaluar drejtoi Ternanan.

Exit mobile version