Ndeshja Shqipëri-Maqedoni, sfida e parë eliminatore e Botërorit 2018 për kuqezinjtë, u ndërpre në minutën e 75-të për shkaqe natyrore.
Një rrebesh shiu i shoqëruar me erë të fortë ndërpreu në momentin më kulminant sfidën e “Loro Boriçit”, duke prishur festën e 16 mijë të pranishmëve në stadiumin e rikonstruktuar në momentin që ndeshja ishte fiksuar në shifrat 1-1.
Nuk kishte ndodhur asnjëherë që Shqipëria të ndërpriste një ndeshje për shkaqe natyrore, edhe pse tapeti i gjelbër i stadiumit të Shkodrës përballoi me sukses prurjet e shumta të ujit por vazhdimësia e takimit u bë e pamundur, ashtu si edhe sinjali satelitor.
Në këto kushte gjyqtari turk, Huseyin Gocek ndërpreu ndeshjen dhe vendosi shtyrjen përfundimtare të takimit, transmeton Supersport.
Në këtë mënyrë, kuqezinjtë mund të shpresojnë te 15 minutat e mbetura pasi ata kanë mundësi të kthjellohen për të kërkuar golin sërish në “Loro Boriçi” me rikthimin në fushë sot (e martë) në orën 14:00 kur do të rinisë edhe takimi.