Site icon Telegrafi

Në pritje të huazimit të Manajt, shtohet numri i klubeve të interesuara

Shtohen klubet pretendente që duan të kenë shërbimet e Rey Manajt. Pas Cesenas, Perugias dhe Spalit, në skenë ka dalë edhe Cagliari që në sezonin e ri do të luajë në Serie A, ndërkohë që 19-vjeçari pëlqehet edhe nga spanjollët e Sporting Gijonit.

Pak ditë më parë, Interi e bleu përfundimisht kartonin e Manajt nga Cremonese me futbollistin që ka një kontratë deri në vitin 2020, me klubin zikaltër.

Sipas asaj që raporton FcInternews.it, drejtuesit e klubit kanë vendosur ta lejojnë sulmuesin shqiptar të largohet, por vetëm në formë huazimi.

Trajneri Roberto Mancini dhe drejtori sportiv, Piero Ausilio, besojnë shumë të aftësitë e Manajt dhe janë të sigurt se nëse 19-vjeçari gjatë sezonit të ri do të luajë rregullisht në një skuadër më të vogël, ai do të rritet shumë si futbollist, transmeton SuperSport.

E ardhmja e tij mund të zgjidhet në fund të kësaj jave. Klubi zikaltër thuhet se ka përcaktuar edhe mënyrën e transferimit të djaloshit të lindur në Lushnje.

KLIKONI KËTU për të rejat nga TRANSFERIMET

Manaj do të largohet me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje nga klubi i tij ri dhe riblerjeje për një shumë të përcaktuar nga ana e Interit, gjithmonë nëse zikaltrit do të dëshirojnë ta rikthejnë në skuadër.

Cagliari, Cesena, Perugia, Spal apo edhe Sporting Gijon duhet të përshpejtojnë nëse duan realisht të kenë në skuadrën e tyre sulmuesin shqiptar.

Exit mobile version