Site icon Telegrafi

Në prapaskenat e “Kryetari i mirë me shokë shumë” – çfarë thonë aktorët e serialit komik që është bërë hit me të bëmat e ‘kryetarit të çuditshëm’

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi. Foto-Kolazh: Ardian Keka/Telegrafi

Ka tash e sa kohë që në ekranet vendore por edhe rrjetet sociale shfaqet seriali komik “Kryetari i mirë me shokë shumë”.

Prodhimi i studios CBC sjell në një version satirik (keq)qeverisjen e një komune të vogël nga një kryetar i çuditshëm me një staf të pakualifikuar – të bëmat e të cilëve nuk kanë fund.

Telegrafi vendosi të vizitojë kastin e “Kryetari i mirë me shokë shumë” në një nga ditët e xhirimeve, për të parë nga afër performancën e aktorëve dhe për të dëgjuar rrëfimet e tyre lidhur me këtë serial.

Pamje nga xhirimet e serialit “Kryetari i mirë me shokë shumë” (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Aktori Butrint Lumi, i cili në këtë serial luan rolin kryesor, ia atribuoi suksesin e rolit të tij të gjithë bashkëpunëtorëve, duke thënë se puna e fortë ekipore ka sjell si rezultat suksesin e seriali.

“Roli është pritur shumë mirë, por kontributin që ky rol me qenë kaq i dashur nga ana e publikut janë njerëzit të cilët kanë dhënë një kontribut, jo veç unë. Prej skenaristit Ard Islami e deri tek secili partner, sepse me të vërtetë jemi një ekip jashtëzakonisht i mirë, punojmë shumë. Kur janë partnerët e mirë, pastaj nuk është edhe shumë e vështirë për të dalë roli i kryetarit mirë, sepse të gjithë partnerët ndihmojnë jashtëzakonisht shumë, përveç në kritika të mira, po ashtu kemi edhe një bashkëpunim shumë të mirë në prova edhe set të xhirimeve, sepse i ndihmojmë njëri-tjetrit shumë”, ka thënë Butrint Lumi për Telegrafin.

Butrint Lumi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

I kënaqur me prodhimin po del të jetë edhe regjisori i “Kryetari i mirë me shokë shumë”, Burim Baftiu, i cili iu bashkua këtij seriali gjatë rrugës.

“Seriali ‘Kryetari i mirë me shokë shumë’ është një projekt i radhës prej CBC-së. Unë jam kyçur në këtë serial prej episodit të pestë, me ftesën e Fisit dhe Ardit. Arsyeja pse jam kyçur është tema jashtëzakonisht e veçantë dhe humori i jashtëzakonshëm që është brenda serialit. Prej asaj kohe, domethënë tash për momentin jemi në xhirimet e episodit të 14-të jam jashtëzakonisht i kënaqur, edhe prej shtëpisë filmike, por edhe prej aktorëve, që janë jashtëzakonisht kreativë por edhe bashkëpunues”, tha Bafiu për Telegrafin.

Burim Baftiu (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Një nga rolet më të përfolura dhe shumë të diskutuara është edhe ai i sekretares Linda, apo e njohur me nofkën ‘Llepa Brena’ e serialit “Kryetari i mirë me shokë shumë”.

Bukuroshja e këtij roli, Frontina Gashi, për Telegrafin tregoi se për paraqitjen e saj në serialin në fjalë, ka marrë vazhdimisht komente pozitive.

“Roli im në këtë serial është pritur shumë mirë edhe kam pasur non-stop komente tepër të mira. Asnjë nuk mund të them se ka qenë negative. Si në rrjetet sociale, por edhe në rrugë po e shoh që është duke u shikuar seriali dhe është duke u pritur shumë mirë”, tha Frontina për Telegrafin.

Frontina Gashi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Edhe aktorja tjetër e “Kryetari i mirë me shokë shumë”, Ema Fejza, u shpreh e kënaqur me punën e bërë për këtë serial, pasi komentet e marra nga audienca kanë qenë të gjitha pozitive.

“Edhe roli im është pëlqyer shumë, sa që tash kur po dal në rrugë gjithë kohës i kam ata njerëzit që më thërrasin qoftë me emrin ‘Sidorela’ apo me ndonjë fjalë që e flasim gjatë serialit, kështu që mirë është pritur edhe po besoj që tash ka me pasëende më shumë influencë te njerëzit edhe audienca ka me u rritë hala më shumë”, thekson Ema.

Ema Fejza (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Aktori Jeton Zogjani i cili numëron role të shumta në seriale vendore, thotë se eksperienca në serialin e kryetarit ka qenë e veçantë dhe është i kënaqur me komentet.

“Është pritur mirë sepse ne marrim indikacione edhe në rrugë, në lokalitete të ndryshme, ku njerëzit na referohen me emër të personazhit që do të thotë që ka filluar të rezultojë pozitivisht edhe të pritet mirë”, tha Zogjani.

Jeton Zogjani (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Sigurisht që të bëmat e kryetarit të çuditshëm nuk mund të mos përcjelleshin nga një gazetare, roli i së cilës i ka dhënë gjithashtu një ngjyrim interesant këtij seriali.

Aktorja Florieta Bajraktari, tha me shaka se ajo tashmë identifikohet në publik si gazetare, falë rolit të saj të veçantë.

“Po besoj që xhirimet po shkojnë shumë mirë edhe produkti po pëlqehet. Për rolin nuk çka flas sepse të gjithë njerëzit në rrugë më thonë ‘gazetare, gazetare’ domethënë më shumë më thërrasin mua se ty (qesh). Ama po besoj që është pritur jashtëzakonisht mirë meqë po kam edhe mesazhe private me komplimente. Shumë rrallë, ndoshta që dy muaj që jemi duke punuar, mund të them që vetëm një njeri më ka thënë: ‘Nuk po më pëlqen sepse po qesh’, kështu që në përgjithësi janë komente shumë pozitive, të jashtëzakonshme, po pëlqehet shumë edhe në xhirime jemi duke kaluar perfekt”, tha aktorja Bajraktari për Telegrafin.

Florieta Bajraktari (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

“Kryetari i mirë me shokë shumë” ka një transmetim javor, nën regjinë e Burim Bafitiut, skenar nga Ard Islami dhe me producent Fisnik Ademin. /Telegrafi/

Exit mobile version