Telegrafi

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Kremlini e shpall ‘agjent të huaj’ televizionin e pavarur rus ‘Dozhd’

I vetmi rrjet televiziv i pavarur rus Dozhd është media e radhës që Kremlini e shpall si “agjent i huaj”.

Kjo lëvizje nga Kremlini vjen si rezultat i kufizimit të aktiviteteve të kundërshtarëve të presidentit Vladimir Putin në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që do të mbahen në muajin shtator.

Sipas Meduza, një media e pavarur ruse që funksionon jashtë vendit, më 20 gusht Ministria e Drejtësisë e ka shpallur si “agjentë të huaj” ueb-faqen iStories, rrjetin televiziv Dozhd (TV Rain) si dhe disa gazetarë të pavarur.

Dozhd e ka denoncuar përcaktimin si të padrejtë dhe thotë se do të apelojë vendimin. Ky televizion operon në internet dhe ka qenë prej kohësh një platformë ku kritikët e Kremlinit, të cilët nuk lejohen të dalin në televizione shtetërore, kanë shprehur pikëpamjet e tyre.

Kanali ka qenë kritikuese e ashpër ndaj goditjeve të autoriteteve ruse ndaj disidentëve. Ajo ka transmetuar rregullisht drejtpërdrejt protestat e opozitës.

Lexo po ashtu Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, Kremlini nis goditjet ndaj rivalëve të Vladimir Putinit

Menjëherë pas këtij vendimi, disa medie dhe gazetarë të pavarur ka protestuar kundër këtij veprimi të Kremlinit.

Mirëpo, disa nga pjesëmarrësit u arrestuan pasi mbanin parulla me mesazhe të tilla si “Gazetaria nuk është krim” dhe “Ju keni frikë nga e vërteta”.

Përcaktimi i “agjentit të huaj” u bë sipas një ligji të përdorur nga autoritetet ruse për të goditur organizatat joqeveritare dhe individët që marrin fonde nga jashtë dhe konsiderohen të jenë të përfshirë në aktivitete “politike”.

Lexo po ashtu Rusia ka bllokuar ueb-faqen e Navalnyt dhe 48 të tjera të lidhura me kritikuesin e Putinit

Grupet e të drejtave të njeriut, thonë se ligji është një mjet për të goditur lirinë e medias dhe për të heshtur kritikët e presidentit Putin dhe aleatëve të tij.

Etiketimi si “agjent i huaj” nënkupton një kontroll më të afërt të qeverisë, gjë që ka konotacione që mund të minojnë besueshmërinë e medieve dhe të dëmtojnë të ardhurat e tyre nga reklamat. /Telegrafi/