Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të përvjetorit të Betejës së Koshares, sot ka dekoruar post mortem me Medalje Presidenciale pesë ushtarakë të Brigadës së UÇK-së 138 “Agim Ramadani”.
Sipas propozimit të përfaqësuesve të Brigadës, Presidentja Osmani, për trimërinë e dëshmuar gjatë Betejës së Koshares dhe kontributin pas luftës, ka dekoruar ushtarakët: Adem Dahri, Afrim Beka, Arben Sejdiu, Faik Gashi dhe Skënder Rexhëahmetaj.
Dekoratat iu ndanë familjarëve të luftëtarëve në praninë e komandantëve të Brigadës 138.
Presidentja Osmani ka çmuar kontributin e luftëtarëve të UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe ka theksuar se liria e Kosovës mbanë emrin e secilit prej tyre.
“Ndihem e nderuar që në këtë përvjetor të lavdishëm si presidente dekoroj me medalje pesë luftëtarë të shquar të Brigadës “Agim Ramadani”. Kontributi dhe sakrifica e tyre do të jenë udhërrëfyes për brezat dhe tregues i vlerës së lirisë që e gëzojmë”, është shprehur Presidentja Osmani.
Në njoftimin për media thuhet se familjarët kanë falënderuar Presidenten Osmani dhe kanë thënë se kjo dekoratë ka vlerë të veçantë në këtë përvjetor të Betejës së Koshares.
Manifestimi kushtuar përvjetorit të 23-të të Betejës së Koshares, pritet të mbahet të shtunën, më 9 prill nën patronazhin e Presidentes Osmani. /Telegrafi/