Site icon Telegrafi

Në Podujevë së shpejti nis projekti i përkujdesjes shëndetësore shtëpiake

Foto: Ilustrim

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur të mërkurën në një takim përfaqësuesit e “Caritas Kosova” dhe Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilët bisedoi për fillimin e implementimit të projektit Ngritja e përkujdesjes shëndetësore shtëpiake dhe ambulantor (Home Care) në Komunën e Podujevës.

Gjatë takimit të kryetarit Veliu, me Pal Baftiajn, përfaqësues i “Caritas Kosova” dhe Mirsad Kamerollin – këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, është biseduar lidhur me hapat që do të ndërmerren për implementimin e marrëveshjes me qëllim të ngritjes së përkujdesjes shëndetësore shtëpiake në Podujevë.

Kryetari Veliu dhe përfaqësuesit e MSH-së dhe “Caritas Kosova” u dakorduan që të fillojnë procedurat për implementimin e projektit ngritja e përkujdesjes shëndetësore shtëpiak dhe ambulantor (Home Care) në Komunën e Podujevës, në mënyrë që sa më parë të fillojë implementimi i këtij projekti.

Projekti në fjalë ka për qëllim edhe ndihmën e QKMF-së në realizimin e vizitave për të gjithë pacientët që e marrin mjekimin në shtëpi, për të gjithë ata pacientë të cilët për arsye të ndryshme shëndetësore nuk kanë mundësi që t’i vizitojnë objektet e QKMF-së dhe qendrat e tjera mjekësore në terren.

Kryetari Veliu përveç e vlerësoi të rëndësishëm projektin për ofrimin e shërbimeve mjekësore për pacientët që nuk kanë mundësi të shkojnë në qendrat mjekësore.

“Krahas ofrimit të përkujdesjes shëndetësore për pacientët, ky projekt do të mundësojë edhe punësimin e mbi 40 punëtorëve shëndetësorë”, tha ai.

Ndryshe, projekti do të zgjasë gjashtë muaj dhe është bashkëfinancim i Komunës së Podujevës, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe “Caritas Kosova”. /Telegrafi/

Exit mobile version