Në Galerinë e Qytetit të Podujevës është hapur ekspozita personale e fotografit Osman Demiri, e cila sjell një rrëfim prekës për fëmijët e Kosovës gjatë periudhës së luftës, përmes imazheve të realizuara në kampin “Çegran” të Maqedonisë së Veriut.
Ekspozita përfshin një koleksion të veçantë fotografish që kapin momentet e vuajtjes, shpresës dhe qëndresës së fëmijëve të shpërngulur, të cilët në vitin 1999 u detyruan të linin shtëpitë e tyre për shkak të luftës në Kosovë.
Nëpërmjet lenteve të Osman Demirit, publiku ka mundësinë të shohë realitetin e asaj kohe dhe të reflektojë mbi fatin e mijëra familjeve të zhvendosura.
Në hapjen e ekspozitës, e cila u mirëprit nga artdashës, historianë dhe qytetarë të shumtë, vetë autori tha se këto fotografi nuk janë vetëm dokumentim i historisë, por edhe një thirrje për të mos harruar sakrificat e popullit shqiptar.
“Fëmijët e kampit ‘Çegran’ janë një kujtesë e gjallë e dhimbjes, por edhe e forcës për të vazhduar përpara”, u shpreh Demiri.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët në Galerinë e Qytetit të Podujevës për disa ditë, duke ofruar një mundësi të rrallë për të parë nga afër një fragment të rëndësishëm të historisë së Kosovës përmes artit të fotografisë. /Telegrafi/