Site icon Telegrafi

Në pesë vitet e fundit vetëm dy njohje, procesi peng i dialogut Kosovë-Serbi

Në prag të shënimit të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Kosova ka ngecur në sigurimin e njohjeve të reja ndërkombëtare. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare fajin kryesor ia lënë dialogut, derisa nuk përjashtojnë edhe faktorë tjerë.

Më 15 shkurt 2023 bëhen pesë vite që kur Barbadosi kishte njohur Kosovën si shtet. Rreth dy vite më vonë, Kosova është njohur edhe nga shteti i Izraelit. Kjo ishte edhe njohja e fundit për Kosovën.

Që nga ajo kohë, kur kanë kaluar më shumë se dy vite Kosova nuk ka marrë asnjë njohje derisa edhe procesi i anëtarësimit në organizata të reja ndërkombëtare ka stagnuar, raporton Telegrafi.

Numri i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës sipas Ministrisë së Jashtme është 117, ndërkaq Serbia pretendon se një numër i konsiderueshëm i këtyre shteteve kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit sa ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump ka qenë edhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës, ashtu si edhe një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se ndër problemet kryesore në ngecjen e procesit të njohjeve është procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi thotë për Telegrafin se dialogu ka marrë “peng” procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare.

“Procesi i dialogut ka marrë “peng” njohjet reja dhe anëtarësimin e Kosovës në mekanizma dhe institucione ndërkombëtare. Të gjitha vendet janë në pritje, duke justifikuar qëndrimin e tyre [refuzues ndaj njohjes së Kosovës] me përfundimin e dialogut. Serbia ka përdorur dialogun për të vonuar dhe parandaluar njohjet e reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, u shpreh Abazi.

Deputeti shton tutje se edhe ngathtësia e politikës së Jashtme dhe barrikadimi i Shqipërisë në “Ballkanin e Hapur”,  kanë ndikuar negativisht për Kosovën në raport me avancimin në programet e Bashkimit Evropian.

“Ngathtësia në marrëdhëniet ndërkombëtare e politikes së Jashtme dhe barrikadimi i Shqipërisë pas “Ballkanit të hapur” ka lënë mbrapa ekzekutimin e Procesit të Berlinit, duke i mundësuar Serbisë të bëj ngadalësimin e reformave dhe përfitimet e rajonit nga fondet e BE-së”, tha ai.

Edhe Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka thënë për Telegrafin se i gjithë procesi i njohjeve të reja duket të jetë i lidhur me progresin në dialogun Kosovë-Serbi, por sipas tij ndikim negativ kanë pasur edhe ngjarjet në Ukrainë.

Belgzim Kamberi, Instituti “Musine Kokalari”

“Mungesa e njohjeve lidhet me lëvizjet gjeopolitike, veçanërisht pas pushtimit të një pjese të Ukrainës nga Rusia. Por ajo që duket se është më e rëndësishmja është se mungesa e njohjeve apo anëtarësimet në organizata multilaterale është e ndërlidhur siç po duket me përparimin në dialogun Kosovë-Serbi”.

Pjesëtari nga shoqëria civile thotë se me gjithë përpjekjet e diplomacisë së Kosovës për të treguar se Kosova është aleat i vendeve perëndimore derisa Serbia i Rusisë, kjo nuk ka sjellë sukses në procesin e njohjeve.

“Përkundrazi aleatët perëndimorë kanë vërtetuar se pavarësisht ngjarjeve në Ukrainë, njohjet dhe anëtarësimet në organizata multilaterale janë të ndërlidhura me dialogun. Kësisoj, pa pasur progres në dialog, nuk duket që do të ketë njohje të reja, madje rrezikohet që edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ndërlidhet me dialogun”, ka deklaruar tutje Kamberi.

Nga vendet e Bashkimit Evropian, Kosova ende nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros.

Kosova nuk është as anëtare e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) e të tjera.

Por, gjatë 14 vjetëve të pavarësisë, ajo ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit. /Telegrafi/

Exit mobile version