Telegrafi

Në përpjekje të ulet numri i turistëve, ndalohet ndërtimi i hoteleve të reja (Foto)

General view of Barceloneta's beach in Barcelona on July 2, 2016. / AFP / PAU BARRENA (Photo credit should read PAU BARRENA/AFP/Getty Images)

Qytetarët e Barcelonës në Spanjë, janë lodhur nga turistët që mbushin rrugët dhe ambientet e ndryshme në çdo stinë të vitit, andaj po kërkojnë që të zvogëlohet numri i tyre.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, ky vend është vizituar nga 32 milionë vetë, derisa numri i banorëve vendas është vetëm 1.6 milionë, transmeton Telegrafi.

Rritja e numrit të vizitorëve, ka bërë që të ngrihen çmimet e pronave dhe banesave, duke iu pamundësuar katallanëve të jetojnë si duhet në vendin e tyre.

Në një anketë të bërë me banorët, ka dalë se problemi numër një për ta është turizmi, teksa në vend të dytë ka dalë papunësia.

Turistët e shumtë janë problemi numër një i banorëve të Barcelonës

Këshilli i qytetit e ka reduktuar ndërtimin e hoteleve, derisa numri i vizitorëve të bie dukshëm. Në qendër të qytetit nuk bën të nderohet asnjë hotel, përderisa në lagjet më periferike lejohet nën rregulla shumë të rrepta.

Mirëpo, zyrtarë të hotelerisë dhe bizneseve e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se turistët nuk qëndrojnë shumë në hotele.

Statistikat tregojnë se vetëm tetë milionë prej tyre që kanë qenë vitin e kaluar, e kanë kaluar natën në Barcelonë, ndërsa të tjerët kanë qëndruar gjatë ditës dhe kanë shpenzuar shumë pak për të shkuar më pas në qytete tjera.

Sipas tyre, nuk bën të reduktohet numri i hoteleve apo shtretërve, por të krijohen politika që i bëjnë turistët të shpenzojnë më shumë dhe të qëndrojnë më gjatë. /Telegrafi/