Edhe shtatë milionë euro të tjera i janë ndarë Ministrisë së Punës për të mbuluar nevojat rreth pensioneve për veteranët e luftës, pasi që numri i atyre që gëzojnë këtë të drejtë ka arritur në 30 mijë sish, raporton KTV.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë, ku u miratuan edhe ndryshimet e tjera buxhetore.
Shefi i Financave të shtetit tha se 65.2 milionë euro janë rialokuar në tërësi, 27.2 milionë prej tyre janë të kursyera nga projektet kapitale, por që sipas tij është hera e parë që nuk shkurtohet asnjë projekt kapital.
Hoti ka thënë se këto rialokime buxhetore kanë marrë bekimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
50 mijë euro që Ministria e Financave ia kishte marrë Ministrisë se Integrimeve për të mbuluar nevojat për disa bursa Universitare ka bërë që të plasë sherri mes dy zyrtarëve të lartë qeveritarë.
Derisa Çollaku me insistim kërkonte t’ia kthenin parat e marra në prill, e të cilat sipas tij nuk figurojnë farë në transkriptin e Mbledhjes kur u mor vendimi, ministri Hoti ia ka kthyer me qetësi se Qeveria i di mirë punët e integrimeve dhe sa procesi nuk varet në 50 mijë euro.
U desh ndërhyrja e shefit të ekzekutivit për të qetësuar situatën, por jo edhe për të bindur Çollakun për të votuar rishqyrtimin buxhetor.
Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës në këtë rishqyrtim nuk e ka lënë keq as Radio Televizionin e Kosovës, e të cilit ia ka ndarë 4.8 milionë euro, por që edhe një herë i është bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të gjejë zgjidhje për financimin e televizionit Publik.