Së paku 52 policë të Egjiptit janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur gjatë të shtënave të djeshme, pas ndërhyrjes së policisë në një bazë të militantëve islamikë, në të ashtuquajturën Shkretëtirë perëndimore, kanë thënë zyrtarët e sigurisë.
Në kumtesën e Ministrisë së brendshme theksohet se disa prej sulmuesve “terroristë” janë vrarë, po ashtu, por nuk janë dhënë më tepër detaje.
Burime të sigurisë thanë se një konvoj i makinave të policisë ishin nisur për në një bazë të grupit ekstremist, Hasm, kur ata papritmas janë rrethuar nga militantët, të cilët kanë hapur zjarr dhe kanë hedhur granata kundër policisë.
Hasm e ka marrë përgjegjësinë për sulm, duke thënë se 28 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë, ndërsa 32 të tjerë janë plagosur, transmeton REL.
Ky grup e ka marrë përgjegjësinë për shumë sulme prej vitit 2016, kundër policisë, zyrtarëve dhe gjyqtarëve në kryeqytetin Kajro.
Egjipti e akuzon grupin Hasm se është krah militant i Vëllazërisë Myslimane, që nga autoritetet në Egjipt në vitin 2013, është shpallur lëvizje jashtëligjore.
Vëllazëria Myslimane e ka hedhur poshtë këtë pretendim.
Këtë vit, militantët islamikë kanë ndërmarrë disa sulme madhore në Egjipt, ndërsa aktualisht i kanë sulmuar kishat në kryeqytetin Kajro dhe qytetet e tjera, me ç’rast janë vrarë dhjetëra njerëz.