Telegrafi

Në përgatitje të “Më fal 2”, Stresi: Balada ime e re është e bazuar në një histori të vërtetë (Foto/Video)

Reperi i njohur Stresi ditën e djeshme (e mërkurë) bëri të ditur përmes rrjeteve sociale se është në përgatitje të një projekti të ri muzikor.

Fjala është për një baladë të re, e cila do të jetë vazhdimësi e super hitit “Më fal”, këngë të cilën Stresi e solli në bashkëpunim me artisten Albresha, dhe u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku.

Në një prononcim për Telegrafin, reperi i njohur ka shpalosur detajet e projektit “Më fal 2”, këngë e cila do të vijë brenda këtij muaji, dhe do të lansohet edhe me klip.

“Kënga “Më fal” me Albreshën ishte një sukses i vërtetë, një këngë e madhe plot dashuri, realitet, romancë e vuajtje, e kam vlerësuar shumë dhe është hit i padiskutueshëm. Në këngën “Më fal 2″, djali që këndon në refren është pjesë e bashkëpunimeve të labelit BB4Life, quhet Anxhelo Koçi, një super talent premtues që do ta shikoni edhe në këngë”, tha Stresi për Telegrafin.

Kënga “Më fal 1” nga Stresi dhe Albresha kishte një sukses vërtet të madh, dhe ishte pritur mirë nga publiku, duke marrë miliona klikime në YuoTube

Në vazhdimin e bisedës, reperi zbuloi për Telegrafin edhe domethënien e këngës, e cila mesa duket ka diçka të vërtetë nga jeta e tij.

“Kënga është e bazuar në një histori të vërtetë, një këngë në të cilën Stresinjo kthehet me një super këngë dhe një super femër”, thotë duke qeshur reperi.

Ndërkohë, reperi për Telegrafin zbuloi se xhirimet e klipit janë kryer dhe pritet të dalë së shpejti, ndërsa paralajmëron se do të jetë diçka vërtetë e bukur.

“Di të them që kënga e re “Më fal 2″ do të publikohet këtë muaj, s’mund të flas akoma se ku? Se si? Mirëpo vetëm ju garantoj që parajsë ka me dalë”, shton më tej Stresi.

Stresi: Kënga ime e re është e bazuar në një histori të vërtetë

Sezoni i verës duket të jetë shumë i ngarkuar për reperin, i cili në përfundimin e bisedës, tregoi për angazhimet e shumta me të cilat po merret këtë verë.

“Jam super aktiv me koncerte. Jam shumë i lumtur që po më presin mirë pafund, dhe i falënderoj të gjithë fansat e mi, jam i pranishëm për të performuar në çdo klub nate, anë e mbanë Shqipërisë”, përfundoi reperi për Telegrafin.

Ndërkohë në pritje të baladës “Më fal 2” që vjen së shpejti, mund të shoqëroheni ende nën ritmet e “Më fal 1”, nga Stresi dhe Albresha, këngë e cila ishte shumë e suksesshme, dhe jo më kot ka grumbulluar miliona klikimesh në YouTube. /Telegrafi/