Site icon Telegrafi

Në Pejë vihet gurthemeli i ‘Qendrës Nacionale’ të xhudos

Sot (e mërkurë) është vënë gurthemeli i qendrës nacionale të xhudos në Pejë, e cila do të ndërtohet nga Federata e Xhudos e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin personalitet të shquara të komunitetit sportiv, ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport Vlora Dumoshi, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, xhudistët e klubit “Ippon” nga Peja dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka u shpreh se kjo qendër do të jetë qendra nga e cila do të dalin xhudistët më të mirë në Kosovës, të cilët do korrin edhe suksese ndërkombëtare.

Kuka: Në këtë xhudo do të ushtrojnë kampionët e tanishëm dhe të ardhshëm

“Për mua është privilegj dhe kënaqësi të jem pjesë e kësaj ngjarje, e ndërtimit të kësaj qendre nacionale të xhudos, duke e ditur që këtu do të ushtrojnë kampionët e tashëm, por edhe kampionët e ardhshëm të xhudos kosovare. Uroj që punët të na ecin mbarë me shpresë që vitin e ardhshëm, tash një vit ekipi ynë olimpik, nisjen ta bëjë nga kjo qendër e përfunduar”, deklaroi Kuka.

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, vënien e gurthemelit të kësaj Qendrës nacionale të xhudos e ka quajtur një ngjarje të madhe për sportin e Kosovës.

Dumoshi: Sot është një ngjarje shumë e madhe

“Sot është një ngjarje shumë e madhe siç tha edhe kryetari i Federatës që po fillon ndërtimi i kësaj qendre e cila për shumë kohë është pritur. Sapo kam marrë drejtimin e MKRS-së si ministre jemi takuar me z.Wizer bashkë me kryetarin e Federatës, presidentit e KOK-ut dhe trajnerin Driton Kuka dhe kemi biseduar, dhe ai në një moment më ka thënë se a po më siguron që do të filloni ndërtimin e kësaj qendre. Kështu që ia kemi dhënë fjalën dha nga kjo ditë e falënderojmë”, tha Dumoshi.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, u shpreh se xhudistëve kosovar vetëm infrastruktura i ka munguar dhe tani atë po e bëjnë kështu që tanimë sipas tij sukseset në këtë sport do të jenë edhe më të mëdha.

Hasani: Xhudistët tani do të kenë edhe infrastrukturën e nevojshme

“Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës ju dëshiroj që të shfrytëzohen në maksimum këto pesë elemente dhe plus zemrën që e keni më të madhe se trupin dhe unë dëshiroj që nga Lojërat Olimpike të ktheheni me suksese sa më të mëdha që është e mundur dhe unë fuqishëm në këtë besoj”, deklaroi Hasani.

Kujtojmë që kjo qendër pritet të nxjerrë talente në sportin e xhudos, sport ky që na ka bërë krenarë viteve të fundit me sukseset e mëdha të arritura në arenën ndërkombëtare./KosovaPress/

Exit mobile version