Për herë të dytë në Kosovë do të mbahet panairi “Prishtina International Autoshow”, në të cilin do të marrin pjesë 23 brende, të cilat do të bëjnë prezantimin e modeleve të tyre më të reja.
Ekrem Tahiri nga kompania e organizimit të evenimenteve “Modus”, ka thënë për Telegrafin se në panair do të jenë brendet si: Audi, BMW, Citroen, Dacia, Fiat, Ford, Hyundai, Jaguar, Jeep, Kia , Lexus, Land Rover, Mercedes, Nissan, Opel, Peugeot, Porche, Renault, Skoda, Suzuki, Seat, Toyota dhe Volkswagen.
Për Telegrafin ai tregoi se çfarë do të ketë më ndryshe ky panair nga panairi i mbajtur para dy vitesh.
“Në këtë panair pjesëmarrja është më e madhe e kompanive, para dy viteve kanë qenë 18 brende, ndërsa tash janë 23. Po ashtu do të ketë edhe numër të madh të kompanive përcjellëse që janë të lidhura me industrinë e veturave”, shpjegoi ai.
Tahiri bëri të ditur se panairi do të jetë i hapur katër ditë, duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 20:00.
Gjithashtu ai tha se kanë bërë edhe organizimin e transportit.
“Hyrja në panair do të jetë gratis, po ashtu transporti i organizuar nga New Born deri të salla e panaireve, i cili do të jetë çdo një orë”, deklaroi ai.
Organizatori Tahiri ftoi të gjithë qytetarët që ta vizitojnë panairin “Prishtina International Autoshow”.
“Qasja është e lehtë që të vijnë dhe ta vizitojnë këtë panair. Ky panair mbahet çdo dy vite dhe është ngjarja më e mirë e organizuar në rajon”, deklaroi ai.
Prishtina International AutoShow mbahet prej 2 deri 5 maj në Sallën e Panaireve në Shkabaj. /Telegrafi/