Qeveria e Republikës së Kosovës, do të mblidhet sonte në ora 19:00, pas konfirmimit të dy rasteve me coronavirus, COVID-19 në Kosovë.
Në konferencën e jashtëzakonshme për medie ku qytetarëve iu drejtua ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryeministri Albin Kurti, u dha lajmi për dy persona të cilët janë të infektuar nga coronavirusi në Kosovë, meqë rasti Kurti njoftoi se në ora 19:00 do të mbledh Qeverinë.
Të infektuarit janë një vajzë 20 vjeçare me shtetësi italiane, dhe një i moshuar kosovar, 77 vjeçar.
IKSHPK me institucionet e tjera kanë filluar menjëherë me gjurmimin e të gjitha kontakteve të dy pacientëve dhe janë marrë të gjitha masat e izolimit dhe vetkarantimit të personave më të cilët kanë qenë në kontakt të konfirmuarit pozitiv në Covid-19.
“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha Vitia.
Ai tha, se për të gjitha rekomandimet dhe vendimet rreth situatës publiku dhe qytetarët do të njoftohen në kohë reale.
Kurse, kryeministri Albin Kurti u ka bërë apel qytetarëve që mos bëjnë panik, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve për parandalimin e Coronavirusit Covid-19. /Telegrafi/