Procesi i vlerësimit të rreth 5 mijë pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura nga diaspora tashmë ka përfunduar.
Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi
Elezi ka bërë të ditur se numërimi i tyre do të nis sot në orën 17:00.
“Është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ndërsa numërimi i fletëvotimeve të aprovuara do të bëhet sot (e premte, 1 nëntor) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve duke filluar në orën 17:00”, ka thënë Elezi.
Gjykata Supreme miratoi ankesën e LVV-së për numërimin e 4,639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në këtë vendim është anuluar vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e LVV-së për numërim. /Telegrafi/