Telegrafi

Në oborrin e ndërtesës së Komunës së Kaçanikut janë 40 tonelata thëngjill (Video)

Përkundër që me një vendim të Ministrisë së Mjedisit është ndaluar përdorimi i thëngjillit për ngrohja Komuna e Kaçanikut i ka në oborrin e saj hiq më pak se 40 ton thëngjill. Komuna thotë se porosia është bërë para se të merret vendimi.

Më 6 nëntor të këtij viti, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kishte marrë vendim që të ndalohet përdorimi i thëngjillit nëpër institucionet publike, meqë është konsideruar si ndotësi më i madh i ajrit.

Mirëpo që nga e shtuna, 40 ton thëngjill gjenden  në oborrin e Komunës së Kaçanikut. Për këtë kishte reaguar dega e LDK-së në Kaçanik.

“Komuna duhet të respektojë gjithqysh vendimet që merr niveli qendror. Në këtë rast nuk ka një zbatim të vendimit që është marrë nga niveli qendrorë. Komuna duhet të përdorë ndonjë lëndë tjetër djegëse pos thëngjillit”, deklaroi Ardita Rrahmani nga LDK.

Thëngjilli është porositur para vendimit të MMPH-së për ndalimin e tij, thotë nënkryetari i Komunës  së Kaçanikut, Ylber Bajra, meqë merr kohë procesi i prokurimit. Megjithatë ai shton se do të respektohet vendimi i ministrisë.

“Procedurat e prokurimit për blerje kanë filluar qysh nga muajt qershor-korrik dhe atëherë thëngjilli nuk ka qenë i ndaluar. Ne në 95 % të rasteve jemi të furnizuar me dru, por prapë se prapë ne do të respektojmë vendimin e Qeverisë”, tha Ylber Bajra, nënkryetar i Komunës së Kaçanikut.

E nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmes një përgjigje me shkrim, thonë se nuk janë në dijeni për këtë situatë në Kaçanik apo në ndonjë komunë tjetër, ndërkaq shtojnë se do të trajtohet si rast./RTV Dukagjini/Telegrafi/