Site icon Telegrafi

Në Obiliq përurohet shtatorja e heroit Xhavit Hazirit

E mundimshme dhe plot sakrifica ishte rruga e lirisë, ndaj duke kujtuar të kaluarën duhet të ndërtojmë të ardhmen, pasi lufta e Xhavit Hazirit me shokë nuk ka përfunduar.

Kështu u tha me rastin e përurimit të shtatores së heroit Xhavit Hazirit, sot në Obiliq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se do të shkruhen shumë libra, monografi e dokumentarë për rolin e Xhavit Hazirit, pasi heroi i kombit ishte personaliteti eminent për liri, shtet dhe bashkim kombëtar.

Sipas Thaçit, Xhavit Haziri është emblema e shtetit të Kosovës.

“Xhaviti ishte mjeshtër i organizimit dhe ideve kreative kundër policisë dhe ushtrisë serbe”, tha Thaçi.

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj tha se vepra e Xhavitit ka qenë e veçantë për çlirimin e Kosovës, ndërsa kryetari i PDK-së Kadri Veseli, heroin Xhavit Haziri e quajti ideolog i veprimeve të armatosura.

Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili tha se jeta dhe vepra e Xhavitit është dëshmi e gjallë e luftës për liri dhe pavarësi.

“E mundimshme dhe plot sakrifica ishte rruga e lirisë, ndaj edhe vështirësitë e Xhaviti Hazirit ishin të mëdha. Andaj, duke kujtuar të kaluarën duhet të ndërtojmë të ardhmen, pasi lufta e Xhavit Hazirit me shokë nuk ka përfunduar – ka përfunduar ajo me pushkë”, tha Gashi.

Po ashtu, një fjalë rasti mbajti edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili tha se nderimi për heroin Xhavit Haziri njëherësh është edhe nderim i kombit dhe historisë sonë./kp/Telegrafi/

Exit mobile version