Sot është bërë një vit nga vdekja e artistit Arlind Gjikolli, i njohur si Gjikla.
Gjikla i cili ishte drejtor Menaxhues i Telegrafit humbi jetën në moshën 41 vjeçare, pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Gjikla, siç e quanin të gjithë të afërmit dhe miqtë, ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim. “Çka kom pasë”, “Qikat e mira”, “Për ty” … janë disa nga këngët e këtij grupi, që edhe sot dëgjohen dhe frymëzojnë gjeneratat e reja.
Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin anomalitë e shoqërisë së Kosovës. Mjafton të përmendet këtu kënga “Juda”, që godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës. Apo, opinionin kritik, ku ndër të tjera thotë: “Pikërisht pse ti populli jem i dashtun nuk angazhohesh për shumë, as nuk merr shumë … mbetesh me pak e kënaqesh me pak”. I tillë ka qenë Gjikla, opozitë e përhershme e së keqes dhe injorancës dhe një humanist që donte të mirën e përgjithshme të shoqërisë.
Në dhjetë vjetët e fundit, Gjikla ishte COO (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit. Si person që jetonte me kohën dhe që donte përparimin, ai dha kontribut të madh në zhvillimin dhe rritjen e këtij portali. Gjikla ka qenë një nga shtyllat e risive teknologjike që Telegrafi çdo vjet ka sjell për lexuesit shqiptarë.
Kolegët e Telegrafit e kujtojnë Gjiklën në një vjetorin e vdekjes së tij, duke e kujtuar atë si person inovativ, bashkëpunues dhe shtytës të zhvillimeve të brendshme. /Telegrafi/