Site icon Telegrafi

Në njëvjetorin e Qeverisë Kurti, PSD: “Le të hanë tortë”!

Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik, në njëvjetorin e Qeverisë Kurti, kanë lënënë para hyrjes së objektit të Qeverisë, një tortë të improvizuar, me mbishkrimin në anglisht “Let them eat cake” (Le të hanë tortë).

Pas këtij aksioni PSD përmes një komunikatën ka thënë se inflacioni në Kosovë po arrin përmasa alarmante.

“Në ndërkohë që pagat e punëtorëve të sektorit privat janë zvogëluar për 30%, paga minimale s’ka lëvizë. Kushtet e punës vazhdojnë të jenë të rënda në Kosovë. Këtë më së miri e tregon shifra e lartë e qytetarëve që po ikin. Mbi 50 mijë qytetarë në muaj aplikojnë për t’u larguar nga vendi. 20 mjekë kanë emigruar vetëm muajin e fundit. Pagat e sektorit publik të njëjta. Të gjitha punët publike të bllokuara. Bordi i OShP-së është jofunksinal. Faturat e energjisë elektrike të papërballueshme. Korporatat private me fitim”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

Më tej ky subjekt politik thotë se “ndërsa të gjitha këto e karakterizuan vitin që lamë pas, Qeveria thotë se Kosova ka zhvillim të pashembullt ekonomik. Kur kishim krizë të energjisë, Qeveria thoshte të mbulohen me qebe. Kur kishim krizë të çmimeve, Qeveria na tha ky është çmimi i demokracisë”.

Lexo po ashtu Dështimet më të mëdha të Qeverisë Kurti brenda një viti sipas Krasniqit e Abdixhikut

“Kjo na e kujton thënien e famshme të mbretëreshës franceze Mari Antoneta. Kur asaj i kishin thënë se populli nuk ka bukë të hajë, ‘le të hanë tortë’, kishte thënë ajo. Këto deklarata janë tregues i distancës së udhëheqësit me popullin”, thuhet në komunikatë.

Më tej PSD thotë se “këto deklarata janë tregues të shpërfilljes së problemeve të përditshmërisë së qytetarit. Këto deklarata flasin për kullën e fildishtë ku këta liderë qëndrojnë. Të shpërqendruar në lavdinë e pozitës, ata harrojnë preokupimet e vërteta të vendit. Kjo distancë e madhe nuk është veç fizike. Distanca aq e madhe, bëhet ndjeshmëri dhe optikë tjetër”.

“Sot ne e kemi sjellë këtë tortë për ta shënuar dhe denoncuar këtë lloj qeverisjeje”, thuhet në komunikatë.

Kritike ndaj Qeverisë Kurti në njëvjetorin e saj janë treguar edhe dy partitë e tjera opozitare PDK dhe LDK. Krerët e këtyre dy partive në konferenca shtypi kanë bërë shumë vërejtje dhe kanë numëruar dështimet e  qeverisë aktuale. /Telegrafi/

Exit mobile version