Një vit më parë, Rita Ora e publikoi albumin e saj të dytë në karrierë, “Phoenix”, i cili tash kur kanë kaluar 12 muaj, ka arritur suksese të jashtëzakonshme.
Me këtë rast, duke shënuar njëvjetorin e publikimit, këngëtarja e ka postuar një video përmbledhëse me disa prej materialeve dhe ngjarjeve të rëndësishme të vitit që lamë pas. Në të njëjtën kohë, ajo i ka falënderuar fansat për mbështetjen dhe ka paralajmëruar projekte të reja për vitin e ardhshëm.
“Urime ditëlindjen e parë për ‘Phoenix’! Nuk mund të besoj se ka kaluar një vit që nga lansimi i albumit tim të dytë! Dua ta di këngën tuaj të preferuar dhe kujtimet tuaja më të mira nga albumi dhe turneu!”.
“Mbështetja nga të gjithë ju ka qenë mahnitëse, jo vetëm në vitin e fundit, por gjithmonë dhe mezi pres t’i ndaj me ju në vitin e ardhshëm të gjitha gjërat në të cilat kam punuar”, ka shkruar Rita në përshkrimin e videos.
Ndryshe, shqiptarja e famshme një vit më parë publikoi albumin “Phoenix”, i dyti në karrierën e saj, që erdhi shumë vite më vonë nga sa ishte parashikuar dhe në një diferencë kohore shumë të gjatë nga albumi i saj debutues “Ora” (2012).
Albumi u publikua më 23 nëntor të vitit 2018 dhe përmban 12 këngë, përfshirë këtu hitet, si “Anywhere”, “Let You Love Me” e “Your Song”, ndërsa pati një interesim dhe shitje të jashtëzakonshme jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por në mbarë botën.
Një vit pas publikimit të tij, Rita numëron sukseset e mëdha të “Phoenix”, këngët e të cilit janë dëgjuar jo më pak se 2.2 miliardë herë vetëm në Spotify – atë që njihet si platforma më e madhe e muzikës online. /Telegrafi/